Procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit për kandidatët në listat e hapura ka përfunduar për 11 qarqe të vendit, ndërsa vijon ende në qarkun Elbasan.
Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare merr pjesë në votim, duke kontribuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e kandidatëve brenda listave zgjedhore. Diaspora konfirmoi në Kuvend Olta Xhaçkën, e cila kishte humbur në raport me Blerina Gjylametin sipas votave brenda vendit. Emigrantët ndikuan edhe listën e PD. Isuf Celaj fitoi mandat duke mundur Shkëlqim Shehun në Kukës. Në Lezhë me 27 vota më shumë nga kandidatja Marjeta Neli, diaspora i siguroi vendin në parlament Admir Kadelit. Arriti të hyjë edhe kandidatja e PS në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi.
Sipas të dhënave zyrtare, numërimi është finalizuar për qarqet: Kukës, Shkodër, Dibër, Durrës, Fier, Tiranë, Berat, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të preferencës vazhdon në qarkun Elbasan, ku ende po vlerësohen rezultatet.
Ndërkohë, KQZ ka urdhëruar gjithashtu numërimin fillestar të votave të panumëruara për dy qendra votimi:
QV nr. 1352/01, KZAZ nr. 21, qarku Durrës
QV nr. 2777/00, KZAZ nr. 54, qarku Elbasan
Ky proces do të zhvillohet më 20 maj 2025, në orën 12:00, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultatet nga këto qendra do të përfshihen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit përkatës të zonës zgjedhore.