Ndeshja e fundit e Lionel Messi rrezikonte të përfundonte shumë keq për yllin argjentinas, i cili ishte shumë pranë përjashtimit pas një përplasjeje të ashpër me arbitrin: pas vërshëllimës së trefishtë ai shkoi drejt arbitrit duke i drejtuar gishtin dhe duke përdorur edhe fjalë mjaft të rënda ndaj tij, për një parregullsi të ndodhur në minutat e fundit të takimit. Inter Miami barazoi 3-3 ndaj San Jose Earthquakes dhe “Pleshti” protestonte për golin e fundit të kundërshtarëve, i cili sipas tij nuk duhej të ishte dhënë për shkak të një faulli.
Por mënyra e tij e protestës ishte mjaft arrogante dhe situata doli shpejt jashtë kontrollit, aq sa arbitri e ndëshkoi fillimisht me karton të verdhë për protesta, por më pas – pasi ndeshja kishte përfunduar – e kërcënoi edhe me karton të kuq për sjelljen e tij. Bashkëlojtarët e tij nuk u përfshinë në situatë, por për ta shmangur përjashtimin ndërhynë vetë kundërshtarët, me trajnerin Bruce Arena që e kapi për krahu për ta larguar.
Messi tërbohet me arbitrin
Nuk jemi mësuar me skena të tilla, por në ndeshjen e fundit në MLS u pa një Messi ndryshe nga zakonisht. Gjithçka nisi në minutat e fundit të takimit ndaj San Jose Earthquakes: skuadra kaliforniane kishte kryer një faull ndaj Messit në aksionin që çoi në golin e barazimit 3-3, një situatë që sipas lojtarëve të Inter Miami ishte e parregullt dhe kërkonin që goli të anulohej dhe të akordohej një goditje dënimi. Por nuk ndodhi kështu, pasi arbitri e konfirmoi golin dhe e mbylli takimin disa sekonda më vonë. Pikërisht aty Messi u zemërua dhe e ndoqi arbitrin, duke protestuar – çka i solli kartonin e verdhë.
E shpëtojnë kundërshtarët
“Ishte faull, je një frikacak” – i kishte bërtitur atij, duke hedhur benzinë në një zjarr tashmë të ndezur. Pasi mori të verdhën, u largua për pak çaste, por më pas u kthye për të vazhduar përplasjen: në atë moment arbitri e kërcënoi hapur me përjashtim, por atëherë ndërhynë lojtarët e San Jose Earthquakes për ta larguar. Edhe trajneri kundërshtar iu afrua për ta qetësuar dhe për ta shoqëruar drejt dhomave të zhveshjes, duke shmangur kështu kartonin e kuq.