Igli Tare nuk fshihet: “Milani është një objektiv për të gjithë. Të punosh për një klub historik dhe me emër si ky do të ishte një nder”. Ish-drejtuesi i Lazios, tani pa kontratë, është ndër kandidatët më të fortë për rolin e drejtorit sportiv të klubit kuqezi, edhe pse – sipas fjalëve të CEO-së Furlani – ende nuk është marrë një vendim në këtë drejtim.
“Kam kërkuar gjithmonë të përfaqësoj vendin tim, dhe njëkohësisht të jem shembull për shumë italianë. Jam gjysmë italian, punoj këtu prej gjysmës së jetës sime, kam pasaportë italiane dhe e mbaj me krenari”, ka thënë Tare për La Stampa, në një intervistë ku ka trajtuar edhe temën e konfirmimit të kryeministrit Rama në drejtimin e Shqipërisë.
Së fundmi Furlani kishte folur kështu për kërkimin e drejtorit sportiv: “Po vlerësojmë nëse do të marrim një drejtor sportiv dhe kam thënë gjithashtu se çështja kryesore nuk ishte të merrnim dikë urgjentisht, por të zgjidhnim personin e duhur. Vëmendja është që ta mbyllim mirë sezonin, por nëse do të shtojmë dikë, do të jetë personi i duhur, por nuk ka nxitim”. Pasi janë shuar pistat Berta (përfundoi te Arsenali) dhe Paratici, Milanit i pëlqen gjithashtu Tony D’Amico, i cili megjithatë është “blinduar” së fundmi nga Atalanta.