Dy persona janë arrestuar në lidhje me një kërcënim të dyshuar me bombë në koncertin historik të Lady Gaga-s në Rio de Janeiro.
Një burrë dhe një adoleshent u arrestuan disa orë para koncertit të këngëtares në plazhin Copacabana të shtunën, më 3 maj, për një komplot të dyshuar që synonte komunitetin LGBTQ+ në Brazil sipas gazetës The Guardian, që citon Policinë Civile të Rio de Janeiros.
Një zëdhënës i Lady Gaga-s, tha se këngëtarja nuk kishte dijeni për kërcënimin e supozuar me bombë derisa u raportua në media, sipas The Hollywood Reporter.
“Ne mësuam për këtë kërcënim të supozuar nëpërmjet raporteve mediatike këtë mëngjes,” tha zëdhënësi i Gaga-s në një deklaratë. “Para dhe gjatë koncertit, nuk kishte shqetësime për sigurinë, dhe as ndonjë komunikim nga policia apo autoritetet për ndonjë rrezik të mundshëm.”
“Ekipi i saj bashkëpunoi ngushtë me forcat e rendit gjatë gjithë planifikimit dhe realizimit të koncertit, dhe të gjitha palët ishin të bindura për masat e sigurisë që ishin në fuqi,” shtoi zëdhënësi.
Lady Gaga performoi para turmës më të madhe të karrierës së saj, me rreth 2.5 milionë njerëz — duke thyer rekordin për koncertin më të ndjekur ndonjëherë nga një artiste femër, që më parë mbahej nga Madonna.
Pas koncertit, Gaga shkroi në Instagram të nesërmen: “Asgjë nuk mund të më përgatiste për ndjesinë që pata gjatë koncertit të mbrëmshëm – krenarinë dhe gëzimin absolut që ndjeva duke kënduar për popullin e Brazilit.
Pamja e turmës gjatë këngëve të mia të para më la pa frymë … kultura juaj është aq e gjallë dhe e veçantë, shpresoj që ta dini sa mirënjohëse jam që e ndamë këtë moment historik së bashku.”
“Rreth 2.5 milionë njerëz erdhën të më dëgjojnë duke kënduar – turma më e madhe ndonjëherë për ndonjë grua në histori. Do të doja ta ndaja këtë ndjesi me të gjithë botën…
Faleminderit Rio që më pritët të kthehesha. Faleminderit ‘monstra të vegjël’ anembanë botës. Ju dua. Këtë moment nuk do ta harroj kurrë. ‘Paws up little monsters’. Obrigada.”