Vdekja e Papa Françeskut ka tronditur edhe botën e sportit. Mesazhe të shumta ngushëllimi kanë vërshuar në nderim të Atit të Shenjtë, mes tyre edhe e Federatës Shqiptare të Futbollit. Humbja e Papa Françeskut ka bërë që të ndalet futbolli italian, ashtu siç mësohet nga njoftimi zyrtar që komunikon pezullimin e përkohshëm për zie të kampionatit të Serie A: “Pas ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Liga Kombëtare e Profesionistëve Serie A bën me dije se ndeshjet e parashikuara për ditën e sotme në kampionatin Serie A Enilive dhe Primavera 1 shtyhen për një datë që do të caktohet më vonë”.
Edhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka bërë të ditur se, përveç kampionatit më të lartë, e gjithë lëvizja futbollistike do të ndalet: “FIGC vajton ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Pezullohen të gjitha garat e programuara për ditën e sotme, nga Serie A deri te kategoritë amatore.” Diçka e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2005, me rastin e vdekjes së Gjon Palit II.
Cilat janë ndeshjet e shtyra për shkak të vdekjes së Atit të Shenjtë
Cilat ishin ndeshjet e programuara për sot? Sipas kalendarit të ndarë të javës së 33-të të kampionatit, duhej të zhvilloheshin katër ndeshje të shtyra (posticipo). E para në orën 12:30, Torino–Udinese. Pasdite në orën 15:00 ishte parashikuar Cagliari–Fiorentina, ndërsa në orën 18:00 duhej të niste Genoa–Lazio. Ndeshja që do të mbyllte javën ishte Parma–Juventus (ora 20:45). Stadiumet mbyllen, të gjithë në shtëpi.
Datat e mundshme për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit
Për momentin, Liga e Serie A nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përmendur një “datë që do të caktohet” për rikuperimin e ndeshjeve. Nuk pritet të ketë probleme për të gjetur një dritare të përshtatshme për zhvillimin e tyre, duke pasur parasysh se shumica e skuadrave nuk kanë angazhime të tjera jashtë Serie A.
Përjashtim bën Fiorentina, që aktualisht është e angazhuar në Kupat e Europës. Skuadra e trajnerit Palladino është kualifikuar për gjysmëfinalen e Conference League: ndeshja e parë do të luhet më 1 maj, e kthimit më 8 maj, ndërsa finalja do të zhvillohet më 28 maj në Stadiumin Municipal të Breslavës (Poloni).
Duke marrë këtë parasysh, e vetmja hapësirë e mundshme për të shtuar ndeshjen ndaj Cagliarit do të ishte jo para ditës së mërkurë, 14 maj, mes javës së 36-të (11 maj, Fiorentina luan në fushën e Venezias) dhe javës së 37-të (18 maj, Fiorentina pret Bolognën). Java e fundit (38-ta) është parashikuar për më 25 maj, përveçse në rast të një ndeshjeje finale për titullin kampion, e cila do të luhej me sistem ndeshje teke.
Presidenti Duka mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh keqardhjen e thellë për lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, një figurë frymëzuese dhe simbol i paqes dhe solidaritetit. Ati i Shenjtë u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të vyer shpirtërore. Federata e Futbollit i shpreh ngushëllime të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve katolikë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka gjithashtu ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale: “Lamtumirë Papa Françesku! Një humbje e madhe për të gjithë botën! Sot humbëm Atin e Shenjtë, një udhëheqës shpirtëror, i cili frymëzoi botën me mesazhet e tij për humanizëm dhe solidaritet. Në emrin tim dhe të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve katolikë!