Real dërrmohet në Londër, Ancelotti në udhëkryq: “Do t’i provojmë të gjitha”

Nuk është e nevojshme të njohësh historinë e futbollit përmendësh për të kujtuar përmbysjet e pabesueshme të Real Madrid, i aftë, në gati 70 vite, të përmbysë në “Bernabeu” humbje edhe më të dhimbshme dhe më të rënda se 0-3 në “Emirates”. Problemi është se Florentino Perez nuk është saktësisht një shembull durimi… Vitin e rikthimit të italianit Ancelotti, në sezonin 2021-22, ai ishte tashmë gati ta zëvendësonte trajnerin që më pas, duke fituar kampionatin dhe Champions, e detyroi të tërhiqej nga vendimi. Asnjëherë nuk pati vendim më largpamës se ky, pasi dy vite më vonë ajo arritje u përsërit.

Historia vlen pak, ose shumë në “Casa Blanca”, në varësi nëse shihen rezultatet e menjëhershme apo thjesht lustrohet dhoma e trofeve. Ancelotti është i shkëputur nga një Barça që duket se po shkon drejt titullit kampion dhe është shumë pranë eliminimit në Europë. Nëse nuk do të arrijë të fitojë asgjë, pra, është e mundshme që do të arrihet te ndryshimi i pankinës. Edhe pse, parë nga jashtë, e gjithë çështja duket një çmenduri. Por nuk mund të bazohesh te konceptet e njerëzve të zakonshëm kur flitet për Olimpin e bardhë.

Ancelotti ka fituar aq shumë dhe ka kaq shumë skuadra që e duan, saqë, edhe pse ndihet shumë mirë në Madrid, nuk do të kishte ndonjë problem të madh nëse do t’i duhej të përshëndeste “Bernabeun”. Në Brazil ka nga ata që ëndërrojnë ta shohin në pankinën e “Seleçaos” dhe shumë klube prestigjioze do të bënin gjithçka për ta marrë tek ata, edhe pse nuk është pikërisht në moshën më të re…

ANCELOTTI, GATI PËR KTHIMIN
Ai, sidoqoftë, kufizohet të mendojë për ndeshjen e kthimit, duke u nisur nga disa fakte konkrete. Arsenal shfrytëzoi dy goditje standarde mbresëlënëse të Declan Rice dhe shënoi golin e tretë kur tashmë barrierat natyrore të Real ishin ulur ndjeshëm. Për këtë arsye ai nuk ka ndërmend të dorëzohet:

“Duhet të shikojmë përpara, të punojmë dhe të mendojmë se mund ta arrijmë, duke besuar të gjithë së bashku se mund të realizojmë përsëri përmbysjen. Do të jetë shumë e vështirë, por do të përpiqemi nga minuta e parë deri në të fundit. Për një orë skuadra e mbajti mirë fushën, por paguam shtrenjtë dy golat nga goditjet standarde dhe u shembëm mendërisht. Ka keqardhje sidomos sepse në pjesën e dytë nuk arritëm të bënim atë që kishim bërë mirë në pjesën e parë. Para golave të tyre, ndeshja ishte në ekuilibër, Arsenal po e mbante zotërimin e topit, por pa gjetur hapësira mes linjave, gjë që ndodhi pas 2-0, kur skuadra u dorëzua në kokë”.

 

Pra, asgjë nuk është humbur dhe nëse ka dikush që mund të bëjë mrekullinë, ai është pikërisht trajneri rekordmen me pesë Champions në vitrinën personale.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top