Fotoreporteri i AFP-së, Yasin Akgul i cili u arrestua të hënën me akuzën se kishte marrë pjesë në një demonstratë kundër paraburgimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu u lirua sot nga drejtësia turke. Raportohet se janë liruar edhe shtatë gazetarë të tjerë që ishin arrestuar për të njëjtat arsye.
Sipas shoqatës turke të të drejtave të njeriut MLSA në paraburgim kanë mbetur edhe dy gazetarë. Lirimi i gazetarëve të ndaluar në Stamboll pritet të bëhet në orët në vijim.
Gazetarët u arrestuan herët në mëngjes të hënën në shtëpitë e tyre, të akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata që nuk kishin leje nga autoritetet si pjesë e protestave që kanë shpërthyer në Turqi që prej 19 marsit pas arrestimit dhe paraburgimit të kryetarit të Stambollit Ekrem Imamoglu.
Arrestimi i gazetarëve ka ngjallur dënime ndërkombëtare. Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufi (RSF) ka shprehur “lehtësimin” e saj pas njoftimit për lirimin e gazetarëve, ndërsa ka kërkuar lirimin e dy të cilëve janë në paraburgim.
Autoritetet turke, të cilat kanë ndaluar tubimet në shumë qytete të mëdha të vendit, njoftuan se kanë arrestuar 1400 protestues që nga fillimi i lëvizjes protestuese, të përmasave të paprecedentë që nga viti 2013 dhe demonstratave të mëdha të lëvizjes Gezi.