Një nga mbrojtësit më të jashtëzakonshëm që ka patur përfaqësuesje e Shqipërisë, lindi 60 vite më parë, më 29 prill 1963. Shkodrani Hysen Zmijani ishte një lojtar modern në futbollin e dikurshëm. I pajisur me forcë e driblim, ai mbahet mend si një lojtar që ndihmonte si mbrojtjen ashtu edhe sulmin e skuadrave të tij. E provoi këtë me fanellën e Vllaznisë e kombëtares kuqezi. Ikonik goli i shënuar në vitin 1994 ndaj Gjermanisë, në atë humbje të ngushtë 1-2. Fundi i karrierës e gjeti atë të luante për të njëjtin klub, që sot luan Cristiano Ronaldo, Al Nassr në Arabinë Saudite. E tashmë, vlerësimi për lojtarin ka ardhur edhe nga FSHF, pikërisht në ditën e ditëlindjes së tij.
Në aktivitetin e organizuar FSHF përfaqësohej me Sulejman Demollarin, shok skuadre me Zmijanin në Kombëtare. Urime të shumta dhe një dhurate simbolike për ish-mbrojtësin: fanella e Shqipërisë me numrin e viteve që mban mbi shpinë Hysen Zmijani. Ajo që është diferencuese dhe që bart vlerat që shkodrani ka shfaqur në fushë është titulli “Legjendë e futbollit shqiptar”. Hysa, siç e thërrasin më së shumti, e ka merituar këtë me atë që ka bërë në fushën blertë, ku u shpall kampion dhe fitoi Kupën e Shqipërisë me Vllazninë.
KARRIERA SI LOJTAR
Zmijani ishte pjesë e kombëtares së Shqipërisë për 11 vite (1984-1995), duke u aktivizuar në 36 ndeshje. Golat me fanellën kuqezi i kishte të paktë, dy, por ai me Gjermaninë në “Qemal Stafa” me goditje dënimi vështirë se harrohet nga tifozët.
Mbrojtësi i djathtë e shkruajti emrin e tij në librat e historisë që në moshë të re. Në vitin 1983 me Shqipërinë U21 ia doli të kualifikohej për herë të parë në finalet e një kampionati Europian. Ata shkuan deri në fazën çerekfinale, ku u eliminuan nga Italia e emrave të mëdhenj si Viali e Mançini.
Zmijani provoi të luante edhe në Francë (GFC Ajaccio), Gjermani (St Pauli) dhe Arabi Saudite (Al Nassr). Me këta të fundit ai doli edhe kampion dy herë (93’-94, 94’95’). Karrierën si futbollist e mbylli në vitin 1997 tek Al Nassr, ku sot luan Cristiano Ronaldo.