Në Maqedoninë e Veriut kanë nisur inspektimet në terren ndaj të gjitha subjekteve të regjistruara si kabare, disko apo klube nate, pas të cilit autoritetet do të dalin me informacione të detajuara. Kjo lëvizje vjen pas tragjedisë me 59 viktima në Koçan.
Fillimin e inspektimeve e ka paralajmëruar dje kryeministri Hristijan Mickoski pas një takimi koordinues me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut Vlatko Stojkoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, në të cilin është biseduar për procedurat e ndërmarra nga institucionet kompetente deri më tani dhe analizat e gjera të të gjitha subjekteve të regjistruara si kabare, klube nate apo disko.
Mickoski kohë më parë tha se do të fillojë një aksion të fuqishëm për kontrollimin e të gjitha dokumenteve në objektet hotelierike, pas zjarrit të tmerrshëm në një diskotekë në Koçan, ku deri më tani kanë humbur jetën 59 persona dhe janë lënduar 155.
Gjithsej 84 pacientë janë duke u mjekuar në spitalet e Shkupit, ndërsa 51 e lënduarit e tjerë janë dërguar jashtë vendit për shërim, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Sipas tij, pacientët në përgjithësi janë në gjendje të qëndrueshme.
Mjekët po luftojnë për shëndetin e të lënduarve një ditë pas tragjedisë në klubin e natës “Pulse” në Koçan, ku 59 të rinj të vdiqën nga zjarri dhe të paktën 155 u plagosën.