Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Rama në një takim elektoral që zhvilloi në Lushnje. Ai tha se kandidatët e opozitës kanë dalë nga një garë e ndershme brenda partisë ndërsa rivalët janë përcaktuar nga mafia.
“Përballen me përfaqësuesit e monizmit, që mbulon vendin, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar shqiptar, asnjë socialist shqiptar. Të cilët janë emëruar mbi kritere mafioze, nga Edi Rama, njeriu që në dy mandate, ja doli të përqendrojë në duart e tij të zeza, të gjitha pushtet. Sot çdo pushtet është në duart e një njeriu dhe ky njeri përdor pushtetin sipas interesave të tij personale, dhe interesave antiqytetare dhe antishqiptare” – tha Berisha.
Më pas Berisha tha se në 8 vite, shqiptarët në dallim nga të gjitha vendet e Rajonit, kanë njohur një varfëri të frikshme në rritje.
“8 vite më parë merrnin rrogat, pensionet më të larta, sot kanë rrogat dhe pensionet më të ulëta. Sot vetëm 20% e atyre që kanë nevojë për ndihmë ekonomike sipas kritereve ligjore, e marrin këtë ndihmë. Kjo është një lloj tiranie e vërtetë, tirania e varfërisë mbi ketë njerëz, mbi këta qytetarë” – tha Berisha.
“Qytetarët, çfarë do qofshin ata, demokratë, socialistë, të paparti, kalojnë çdo muaj me më vështirësi. 1 milion prej tyre ikën në 8 vite, 83% e të tjerëve kërkojnë të ikin. Kurrë në asnjë rrethanë, asnjë luftë, asnjë pushtim, Shqipëria nuk është braktisur si këto 8 vite” – tha Berisha.
“Kodi zgjedhor që rregullon dhe garanton të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën e votës, për këtë despot, nuk ekziston, është një kinezëri. Dhe ju e patë se çfarë bëri ai, gjithçka që ne të mos merrnim pjesë në zgjedhje, se çfarë vendimesh mori me mercenarët e tij, që forca politike që ka sot në të 4-anët e vendit, 61 kandidatë të dalë me votën e lirë të mos hynte në zgjedhje, të përjashtohej nga zgjedhjet. Natyrisht dështoi dhe do të dështojë, por nga ana tjetër tregoi anën e tij më të errët njerëzore, më antidemokratike” – tha Berisha.