Avokati i Erjon Veliajt e quajti një absurditet masën e arrestit me burg për Erjon Veliajn të konfirmuar nga gjykatësi i Apelit, Engert Pëllumbi. Në dalje të gjykatës, pasi klienti i tij u mor për t’u çuar në paraburgimin e Durrësit, Maks Haxhia u shpreh se tani nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të presë ndonjë “çudi” në Gjykatën e Lartë.
“Prokuroria nuk solli asnjë provë të re. Masa e tillë një absurditet që ndodh vetëm në Shqipëri, aq më tepër për vepra të tilla që nuk kanë rrezikshmëri. Nuk mund të vendoset një masë e tillë për një kryebashkiak të zgjedhur 3 herë dhe t’i thuash je i rrezikshëm.
Rrezikshmëria është e lidhur me mundshmërinë për të kryer vepra të tjera të rrezikshme penale që dëmtojnë jetën dhe shëndetin e dikujt. Presim të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë dhe të pranohet kërkesa për masën e sigurisë” u shpreh Maks Haxhia për gazetarët.
Veliaj është nën akuzë për tre vepra penale, korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Përgjatë këtyre ditëve ai ka qenë tepër aktiv në rrjetet sociale, por pikërisht komunikimet me të vëllain për udhëzimet e mediave u sollën nga prokurorët si një provë e re që ai duhet të qëndrojë në paraburgim gjatë procesit.