Erion Veliaj do të dalë sërish këtë të mërkurë, në orën 12:30, përpara Gjykatës së Apelit të Posaçëm, pas shtyrjes së seancës së një dite më parë. Avokatët mbrojtës të tij kanë kërkuar kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga prokurorët e çështjes.
Mbrojtja e Veliajt ka kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn kundrejt garancisë pasurore, me pretendimin se nuk ka rrezik të prishë provat. Avokati i mbërritur nga SHBA, Joshua Robert nuk u lejua që të merrte pjesë në cilësinë e vëzhguesit në seancën e djeshme që zgjati disa orë.
Prej datës 10 shkurt, Veliaj mbahet i arrestuar me akuzat se ka kryer dy vepra penale, atë të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në seancën e mbajtur 2 ditë më vonë pas arrestimit, më 12 shkurt për vleftësimin e masës së arrestit të dhënë në mungesë ndaj Veliajt, kryebashkiaku përmes avokatëve mbrojtës ofroi edhe garanci pasurore në këmbim të lirisë, por u refuzua nga gjykata.
Nga hetimet ka rezultuar se Erion Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse të lidhur me të për përfitimin e shumave të mëdha monetare.