Sondazhi i fundit/ Për kë do të votonin shqiptarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot

Barometri Euronews – Albania ka zhvilluar matjen e dytë zgjedhore pas matjes së Janarit 2025. Sërish metodologjia e përdorur dhe kampioni ka qenë i njëjtë, 1600 qytetarë të pyetur në gjithë territorin e vendit, ballë për ballë. Periudha kohore e mbledhjes së të dhënave për matjen e dytë zgjedhore të Barometrit Euronews-Albania është 15-25 Shkurt 2025.

Pyetja më e rëndësishme politike në matjet e Barometrit për zgjedhjet e 11 Majit është: Për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot? Nëpërmjet kësaj pyetje në të gjitha matjet politike arrijmë të lexojmë prirjen e votës së qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.

Përgjigjet në matjen e dytë tregojnë se: 39.1% e qytetarëve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot do të votonin Partinë Socialiste, 27.8% e tyre do të votonin Partinë Demokratike.

Dhe me radhë si më poshtë, 5.1% e qytetarëve do të votonin “Shqipëria Bëhet, 3.9% “Partia Mundësia” 2% “Lëvizja Bashkë”, 1.4% Partia e Lirisë, 1.7 parti të tjera. Ndërkohë 19% e qytetarëve janë të pavendosur për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Një pjesë e tyre tregojnë se nuk do të votojnë, një pjesë përgjigjen nuk e di ose refuzojnë të përgjigjen kësaj pyetje.

Krahasuar me matjet e para politike në Janar 2025, matjet e dyta tregojnë sesi ka ndryshuar prirja e votës. Në matjet e para diferenca ndërmjet atyre qytetarëve që do të votonin PS dhe PD ishte 15.6%, ndërkohë sot në matjet e dyta kjo diferencë është ngushtuar në 11.3%. Të pavendosurit në të dy matjet kanë mbetur ekzaktësisht në të njëjtin nivel (19%).

Një tjetër lexim në krahasimin e të dy matjeve për prirjen e votës është rënia e PS me 1.4% dhe rritja e PD me 2.9%. Për sa i përket partive të reja dhe të vogla vihet re një rënie e tyre nga matja e parë në matjen e dytë me përjashtim të një rritje me 0.8% që ka pësuar “Partia Mundësia”.

Ndërsa pyetjes se pavarësisht se kë do të votoni ose jo, cila parti mendoni ju se do të fitojë zgjedhjet, 61.1% e qytetarëve parashikojnë se zgjedhjet do të fitohen nga PS.

Ndërkohë 20.7% e të pyeturve parashikojnë se zgjedhjet do t’i fitojë PD, 3.7% parashikojnë se do t’i fitojë Shqipëria Bëhet, 1.2% mendojnë se do t’i fitojë Partia Mundësia dhe 1.2 % parashikojnë si fituese Lëvizja Bashkë. /Euronews Albania

 

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top