Përcaktohen sonte 4 skuadrat e para çerekfinaliste të Champions League. Ndeshjet e kthimit të 1/8 do të shohin beteja të vërteta sidomos në Angli dhe Spanjë, ku Liverpool e Barcelona presin me avantazhin minimal PSG e Benfica. Më të sigurtë Bayern Munich dhe Inter që kanë fituar ndeshjet e para në transfertë, respektivisht 3-0 kundër Leverkusen e 2-0 ndaj Feyenoord.
INTER – FEYENOORD (2-0)
Pasi nuk u mbyt në “pishinën” e De Kuip, Inter ka nevojë për një natë madhështore në “La Scala” të futbollit për të vazhduar të ëndërrojë Tripletën. Zikaltrit hyjnë në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League kundër Feyenoord në një situatë të favorshme: edhe me shumë mungesa, skuadra e teknikut Inzaghi ka treguar se është dukshëm më superiore ndaj holandezëve, dhe fitorja 0-2 në ndeshjen e parë i bën optimistë për takimin në “San Siro”.
Paradoksalisht, megjithatë, fakti që Inter konsiderohet favorit mund të mos jetë pozitiv për ta: në kampionat, më shumë se një herë, zikaltrit e kanë vështirësuar vetë situatën për shkak të një qasjeje të lehtë ndaj ndeshjeve. Rasti më i fundit ishte përballja me Monzën. Nga ana tjetër, Feyenoordi, pavarësisht mungesave të shumta, siç ka thënë trajneri i tyre Robin van Persie, “beson te mrekullia”. Dhe duket se fjalët e ish-yllit të Arsenal nuk janë thjesht për formalitet: holandezët nuk kanë asgjë për të humbur dhe kanë kujtime të mira nga “Meazza”, pas një kualifikimi dramatik në play-off kundër Milan.
Siç u përmend, të dy trajnerët duhet të bëjnë pa disa lojtarë kyç. Sa i përket Interit, ka shumë gjasa që Lautaro Martinez të marrë pushim. Në mesfushë, dëmtimi i Zielinskit i rrit shanset që Davide Frattesi të jetë titullar. Në organizimin e lojës pritet të ketë rotacion mes Calhanoglu dhe Asllanit, ndërsa Mkhitaryan, përveç ndonjë surprize, duhet të jetë titullar në krahun e majtë të mesfushës. Në krahët e mbrojtjes zgjedhjet janë të detyruara: Dumfries në të djathtë dhe Carlos Augusto në të majtë.
BAYER LEVERKUSEN – BAYERN MUNICH (0-3)
Bayer Leverkusen dhe Bayern Munich përballen në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League 2024-2025. Në “BayArena” nis gjithçka nga rezultati 3-0 në favor të bavarezëve në ndeshjen e parë, ku me një dygolësh të Harry Kane dhe një gol të Musiala, Bayern ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit. Takimi luhet sot, të martën më 11 mars 2025, me fillim në orën 21:00.
Në Leverkusen zhvillohet derbi i dytë gjerman dhe nis nga rezultati 3-0 me të cilin skuadra e Vincent Kompany i dha një goditje të rëndë Bayer. Ekipi i Xabi Alonso duhet të fitojë me tre gola diferencë për ta çuar sfidën në shtesë, dhe eventualisht në penallti. Të dyja skuadrat vijnë nga humbje në Bundesliga fundjavën e kaluar: Bayern u mund 3-2 nga Bochumi, ndërsa Leverkusen u dorëzua 2-0 ndaj Werder Bremen.
Skuadra që kalon më tej do të ndeshet në çerekfinale me fituesin e duelit mes Inter dhe Feyenoord, ku zikaltrit fituan 2-0 në sfidën e parë. Ndeshja do të gjykohet nga arbitri slloven Slavko Vincic, i asistuar nga bashkatdhetarët e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic. Gjyqtari i katërt do të jetë Alen Borosak, ndërsa në VAR do të jetë holandezi Rob Dieperink.
LIVERPOOL – PSG (1-0)
Pas një ndeshjeje spektakolare në takimin e parë, Liverpool pret PSG-në në “Anfield” për kthimin e 1/8-ve të Champions League. Në “Parc des Princes” u zhvillua një sfidë e çmendur, të cilën anglezët e fituan në minutat e fundit me rezultatin 1-0, pavarësisht dominimit të ekipit të Luis Enrique, i cili u ndal disa herë nga pritjet fantastike të Alisson. Kualifikimi për në çerekfinale mbetet i hapur dhe gjithçka mund të ndodhë në një nga duelet më të mëdha të kësaj faze me eliminim direkt. Ndeshja është planifikuar për të martën, 11 mars 2025, në orën 21:00.
Misioni i Liverpool në Premier League është thuajse i përfunduar dhe ekipi i Arne Slotit i ka përqendruar forcat te Champions League me shpresën për të arritur në finale. Fitorja e çmuar në Paris është një avantazh që s’duhet shpërdoruar, por PSG ka treguar se ka një sulm yjesh dhe do të synojë përmbysjen, e cila nuk është e pamundur. Të dyja ekipet do të zbresin në fushë me formacionet e tyre më të forta, për një sfidë që pritet të jetë e zjarrtë dhe plot talent.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Liverpool arriti një fitore me përmbysje ndaj Southampton, duke e çuar në +15 diferencën me Arsenal të vendit të dytë. Nga ana tjetër, PSG fitoi 4-1 në fushën e Rennes.
BARCELONA – BENFICA (1-0)
Barcelona do të kërkojë të mbrojë epërsinë minimale të ndeshjes së parë kur të presë Benficën në “Estadi Olímpic Lluís Companys” për ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Ligës së Kampionëve. “Blaugranat” synojnë të arrijnë në çerekfinale për herë të dytë radhazi, ndërsa portugezët kërkojnë të kalojnë në këtë fazë për herë të tretë në katër sezonet e fundit.
Barcelona nuk ka luajtur që nga vizita e javës së kaluar në Lisbonë, pasi ndeshja e tyre në La Liga të shtunën u shty për shkak të vdekjes tragjike të mjekut të ekipit të parë, Carles Minarro Garcia. Presidenti i klubit, Joan Laporta, deklaroi se ekipi është në një “gjendje tronditjeje” pas këtij lajmi të hidhur. Për këtë arsye, përgatitja për sfidën e Ligës së Kampionëve është bërë në rrethana të vështira, edhe pse katalanasit e kanë avantazhin e fitores 1-0 në Lisbonë, pavarësisht se luajtën për rreth 70 minuta me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Pau Cubarsit.
Barça ka nevojë vetëm për të shmangur humbjen në këtë takim, por gjithashtu beson në një fitore para tifozëve të saj. Në shtatë ndeshjet e fundit në shtëpi, ata kanë fituar pesë, përfshirë një triumf bindës 4-0 kundër Real Sociedadit. Për më tepër, në katër ndeshjet e mëparshme në shtëpi ndaj Benficës, Barcelona nuk ka pësuar humbje (2 fitore, 2 barazime), duke mbajtur portën e paprekur në tre përballjet e fundit.
Knockout Stage Champions League
18:45 Barcelona – Benfica
21:00 Bayer Leverkusen – Bayern Munich
21:00 Inter – Feyenoord
21:00 Liverpool – Paris Saint-Germain