Berisha i ofroi vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë, Meta refuzon

Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi sonte vendimin e Presidentit të kësaj force, Ilir Meta për të qenë kandidat për deputet në listën e hapur në Qarkun Tiranë, të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025.

“Është shumë më e rëndësishme që koalicioni të marrë sa më shumë mandate, pasi kjo na ndihmon edhe ne, por edhe partitë e tjera aleate për të fituar më shumë mandate në listat e hapura” – u shpreh Meta në një mesazh dërguar nga qelia Komitetit Drejtues të kësaj force.

Më herët edhe kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se Meta, do të vendosej në listën e sigurt të koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike për shkak edhe të rrethanave të tij. Mesa duket presidenti i PL-së ka refuzuar këtë ide dhe i ka qëndruar deri në fund dëshirës së tij për të qenë në listën e hapur.

Me anë të një mesazhi të dërguar për mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, kreu i kësaj force Ilir Meta shprehu angazhimin e tij për realizimin e programit të 5 prioriteteve madhore për Shqipërinë. Ai theksoi rëndësinë e koalicionit me Partinë Demokratike dhe 25 parti të tjera, për të garantuar rotacionin politik dhe për të zgjidhur problemet kritike të shpopullimit dhe varfërisë në Shqipëri.

Meta u shpreh se një nga objektivat kryesore është dyfishimi i pensioneve, pagave, mbështetjes për arsimin dhe zhvillimi i bujqësisë dhe industrisë vendase, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një fuqi eksportuese. Ai gjithashtu theksoi se fitorja e këtij koalicioni është e domosdoshme për të shpëtuar vendin nga varfëria ekstreme dhe për të garantuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët.

Meta gjithashtu u shpreh se më 12 Maj do jenë edhe më krenarë për përmbysjen e Narkoregjimit dhe të Narkoekonomisë, që jo vetëm kanë dëbuar 1 milionë shqiptarë, por edhe aktualisht kanë zhytur në varfëri ekstreme 42% të popullsisë së mbetur.

Më tej Meta theksoi se për Partinë e Lirisë prioritet mbetet fitimi i mandateve në listat e hapura, me përzgjedhjen e kandidaturave që përfaqësojnë më së miri interesat e qytetarëve. Ai siguroi se ky koalicion është i fokusuar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, forcimin e institucioneve dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top