Situata e sigurisë në ballkan është seriozisht e lëkundur, deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që në pohimin e bërë gjatë një mbledhjeje te qeverisë përmendi në mënyrë të veçantë gjendjen “në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.
Vuçiç ka theksuar në Instagram se në një kohë kur situata e sigurisë në Ballkan është tronditur rëndë, Serbia po përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj.
“Në mbledhjen e Qeverisë kemi shkëmbyer informacione për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe në rajon. Në veçanti u fokusuam në sfidat e sigurisë në Kosovë dhe Metohi, si dhe në Bosnje e Hercegovinë. Diskutuam për aspektet e përgjithshme të protestës së paralajmëruar për 15 mars”, tha Vuçiq pas seancës së Qeverisë, në të cilën mori pjesë me ftesë të kryeministrit V. Mičeviće.
Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente. Por kjo e nuk e pengoi Vucicin të paralajmëronte më të keqen, e të fajësonte protestat edhe për problemet ekonomike.
“U ndalëm mes të tjerash edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi kreu i shtetit serb.
Me bllokadat dhe protestat disa mujore, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar pjesëmarrësit në protesta, si dhe ndërprerjen e procedurave gjyqësore të nisura ndaj të arrestuarve në demonstrata.