Ajola ishte mes lotësh-Veliaj tregon mesazhin që i çoi agjentit të BKH-së

“Por, meqë shejtani nuk merr pushim, detyrohem edhe unë të luftoj përditë me mexhelisin social, nga burgu ku jam kyçur pa gjyq, prej një letre anonime, një vetingu ilegal të 20 vjetëve jetë, pa asnjë akuzë formale dhe falë një prokurori lunatik e një gjykatësi politik.”

Kështu e nis rrëfimin e tij nga qelia Erion Veliaj, i cili pretendon se ndodhet në burg si rezultat i një procesi të manipuluar nga interesa politike dhe juridike. Ai liston tre arsyet “patetike” sipas tij për burgosjen e tij:

1. “As kam ikur nga Shqipëria.”
2. “As kam prishur prova.”
3. “As përbëj rrezikshmëri të lartë shoqërore.”

Në thelb të akuzave, sipas tij, është një arsyetim qesharak i prokurorit Ols Dado, i cili në faqen 277 të dosjes shkruan: “Sjellja e shtetasit Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe ‘kurajon’ e shfaqur për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë personalitetin e këtij të fundit.”

Sipas Veliajt, ky arsyetim është përsëritur nga gjyqtari Bani në faqen 361 të dosjes, duke e cilësuar atë si një “copy&paste” të një dosjeje që, sipas tij, është e ndërtuar mbi direktiva politike.

“Ça shkruan prokurori, e noterizon gjykatësi, pa marrë as mundimin ta perifrazojë dhe këta të dy i lidh edhe literalisht Partia Demokratike.”

Veliaj zbardh një ngjarje specifike që, sipas tij, përbën një shembull të qartë të shtetit të kapur nga një strukturë që vepron në errësirë. Ai rrëfen se më 28 dhjetor, teksa po nisej për një takim me Bankën Botërore në Uashington, bashkëshortja e tij e njofton e shqetësuar se një person i quajtur Samet Gurguri i kishte dërguar një mesazh anonim me thirrjen për t’u paraqitur sërish në SPAK.

“Në gjendje të rënduar psikologjike, nën mjekim dhe mes lotësh, e vetme me djalin, më thotë se është totalisht e panikosur, që ditë të shtunë, një ditë pushimi në vigjilje të Vitit të Ri, e gjendur edhe në mes të një sulmi histerik hienash të gjirizave politikë e mediatikë, i thuhet me një sms nga një i panjohur hajde sërish në SPAK!”

Si çdo burrë dhe prind normal, Veliaj thotë se vendos të reagojë duke i dërguar një mesazh Sametit:
“Është ditë e shtunë – sabat, shabat – edhe Perëndia pushoi të shtunën” dhe i kujtoj se është “turp kjo përndjekje e përsëritur e sime shoqeje sapo unë largohem nga vendi, e i them thuaji Ols Dados boll e molestove gruan time.”

Por ky mesazh, sipas Veliajt, u interpretua si “intimidim” nga Samet Gurguri, i cili më pas kërkoi shtimin e akuzave ndaj tij.

Veliaj e quan akuzën absurde, duke treguar se Gurguri, pavarësisht se pretendonte se ishte “intimiduar”, më 31 dhjetor hyri në Bashkinë e Tiranës dhe kërkoi dokumente pa asnjë pengesë.
“Madje, nga ‘intimidimi i madh’ që i bëra unë, Erioni, me një sms normale, Sameti në 31 Dhjetor qëndroi në Bashki deri në orën 18.00 të pasdites, edhe pse dihet se në ditën e fundit të vitit zonjat e çdo institucioni lihen të lira pak më herët se orari zyrtar për t’u marrë me përgatitjen e darkës së Vitit të Ri.”
Në vijim, Veliaj shprehet se ka kërkuar informacione për Samet Gurgurin dhe ka zbuluar se ai është një aktivist i Partisë Demokratike në Libofshë, Fier.


“Unë jam shumë i lumtur që PD-ja ka degë në Libofshë, pluralizmi në çdo cep të Shqipërisë është shenjë e një demokracie aktive. Jam gjithashtu i ngazëllyer që aktivistë si Sameti i japin Partisë së Kënetës kohën, energjinë dhe statuset e tyre – gjaku i ri për kërma si Saliu është jetik për mbijetesën e kufomës së tij politike.”

Në fund, Veliaj bën një krahasim për të treguar se një hetues si Gurguri nuk do të kishte guxuar të vepronte në të njëjtën mënyrë ndaj figurave të Partisë Demokratike:

“Nuk besoj se Sameti atyre u shkruan ‘o Sali’ ose ‘o Zeno’, siç më thotë mua ‘o Erion’. Dhe nuk besoj jo e jo, se e zgjon Arminën apo Lirinë të shtunave në mëngjes, pasi i ka mbajtur nga 9h më parë (s’di t’i ketë thirrur ndonjëherë megjithëse për fondacione jotransparente dhe mbathje transparente janë nona), për t’u thënë ‘ejani edhe i her knej nga SPAKu’.”

Si përmbyllje, ai e ironizon gjithë këtë proces si një farsë që tregon kapjen e drejtësisë nga struktura të kontrolluara politikisht:

“Por, Sameti ishte një Sali i vogël në atë rrethin e dadove të Saliut të madh, që edhe pse paguhen më shumë se Presidenti i Republikës e kanë katandisur ‘shtetin me Uacap’.”

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top