Në gjithë Greqinë janë thirrur protesta ditën e sotme në dy vjetorin e tragjedisë hekurudhore me 57 viktima. Sindikatat e sektorit privat dhe publik, qendrat e punës dhe organe të tjera kanë njoftuar se do të marrin pjesë në mobilizimin mbarëkombëtar, me kërkesë të përbashkët për drejtësi.
Sipas shoqatës “Tempi 2023”, janë planifikuar 262 tubime proteste në Greqi dhe 119 jashtë vendit. Tubimet do të nisin në orën 11:00 në shumë qytete, ku më kryesorët do të zhvillohen në Athinë dhe Selanik. Në Athinë tubimi do të bëhet në sheshin Sintagma, ndërsa në Selanik në Statujën e Venizelos. Familjarët e viktimave iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrë pjesë në tubim.
Linjat janë pezulluar në të gjithë rrjetin hekurudhor, duke përfshirë hekurudhën periferike të Athinës. Shërbimet e metrosë për dhe nga aeroporti nuk do të funksionojnë gjithashtu gjatë gjithë ditës.
Dogana greke njoftoi se do të hyjë në grevë të premten, duke bllokuar tre prej pikave kufitare që e lidhin Shqipërinë me vendin fqinj. Lëvizja e mjeteve do të bllokohet në Kakavijë, Qafë Botë dhe Tre Urat. Kalimi për të gjitha llojet e automjeteve do të jetë i ndaluar, me përjashtim të ambulancave dhe makinave funerale.
Gjithashtu edhe pasagjerët që udhëtojnë në këmbë do kenë mundësinë që ta kalojnë kufirin. Greva e palës greke pritet të sjellë trafik të madh për qarkullimin e mjeteve në lëvizje, por edhe problem për operatorët ekonomikë që kërkojnë të lëvizin përtej kufirit dhe bllokim për mallrat.