Arsenal humb terren, Liverpool shkëputet +13: Haaland ekzalton Guardiolën

Java e 27-të e Premier League solli një tjetër hap fals për Arsenal dhe një fitore të rëndësishme për Liverpool, që tashmë kryeson me 13 pikë diferencë. “The Reds” nuk gabuan ndaj Newcastle, duke fituar 2-0 falë golave të Szoboszlai dhe MacAllister. Ndërkohë, Arsenal nuk arriti të gjente rrjetën në transfertën ndaj Nottingham Forest, duke barazuar 0-0. Manchester United siguroi një fitore dramatike 3-2 ndaj Ipswich pas një përmbysjeje në pjesën e dytë, ndërsa Manchester City mundi Tottenhamin 1-0 me një gol të Haaland. Brentford dhe Everton ndanë pikët me një barazim 1-1.

Tottenham – Manchester City 0-1

Manchester City rikthehet në zonën Champions falë një fitoreje minimale ndaj Tottenham. Erling Haaland, që u rikthye si titullar, shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 12′, pas një asisti nga Doku. Spurs patën disa raste të mira, por Ederson bëri disa pritje të shkëlqyera, përfshirë një ndaj Son në minutat e fundit. Në sekondat e fundit, Sarr humbi një mundësi të artë për Tottenham, ndërsa një tjetër gol i Haaland u anulua për një prekje të mëparshme me dorë. Pas kësaj fitoreje, City ngjitet në vendin e katërt me 47 pikë, mes Nottingham Forest (48) dhe Chelsea (46), ndërsa Tottenham mbetet në vendin e 13-të.

Nottingham Forest – Arsenal 0-0

Mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë vazhdon ta penalizojë Arsenal, që u ndal sërish në një barazim pa gola. Arteta vendosi Merino si “nëntë false”, por ishte Calafiori ai që iu afrua më shumë golit, duke goditur traversën. Nottingham Forest mbrohej fort dhe rrezikonte në kundërsulme. Sels bëri pritje vendimtare ndaj Rice dhe Merino, ndërsa në fundin e ndeshjes, Wood dhe Hudson-Odoi kishin raste të mira për vendasit. Arsenal mbetet në vendin e dytë me 54 pikë, por Liverpool është larguar në +13, ndërsa Nottingham Forest mban vendin e tretë me 48 pikë.

Manchester United – Ipswich 3-2

Një gabim i rëndë mes Onana dhe Dorgu vuri në vështirësi Manchester United që në minutat e para, por skuadra e Amorim përmbysi gjithçka dhe fitoi 3-2 ndaj Ipswich. Dorgu dhe Onana u përfshinë në një keqkuptim në minutën e 4-t, duke i dhuruar një gol të lehtë Philogene. Megjithatë, pas një nisjeje të dobët, United u kthye në lojë në minutën e 21-të kur Morsy shënoi autogol. Vetëm gjashtë minuta më vonë, De Ligt shënoi nga afër për t’i dhënë avantazhin “Djajve të Kuq”.

 

Dorgu u ndëshkua me të kuq në minutën e 40-të për një faull të rëndë dhe Ipswich e shfrytëzoi menjëherë superioritetin numerik, duke barazuar me një tjetër gol të Philogene. Gjithsesi, në fillimin e pjesës së dytë, Maguire shënoi golin e fitores për Manchester United. Me këtë fitore, United ngjitet në vendin e 13-të me 33 pikë, duke barazuar Tottenhamin. Ipswich mbetet në zonën e rënies me 22 pikë.

Brentford – Everton 1-1

Një ndeshje me pak emocione përfundoi në barazim mes Brentford dhe Everton. Wissa kaloi në avantazh vendasit në fund të pjesës së parë pas një goditjeje të Mbeumos që u ndal në traversë. Everton barazoi në minutën e 77-të me O’Brien, i cili finalizoi një asist të Mykolenkos. Në fund, Beto pati disa raste të mira për Evertonin, por nuk arriti të shënonte, ndërsa Brentford kërkoi një penallti në sekondat e fundit, por arbitri nuk e akordoi. Me këtë rezultat, Brentford qëndron në mes të tabelës me 38 pikë, ndërsa Everton siguron mbijetesën me 32 pikë.

LIVERPOOL-NEWCASTLE 2-0

Një gol për çdo pjesë, në një ndeshje të kontrolluar dhe dominuar nga fillimi deri në fund. Liverpool mposht 2-0 Newcastle dhe përfiton menjëherë nga ndalesa e Arsenal: Slot ngjitet në +13, me një ndeshje më shumë, duke fituar katër pikë ndaj vendit të dytë në dy takimet e fundit. “The Reds” e ndiejnë gjithnjë e më pranë titullin, kur kanë mbetur vetëm dhjetë ndeshje deri në përfundimin e Premier League, dhe e drejtojnë menjëherë sfidën në favorin e tyre.

Mjaftojnë vetëm 11 minuta për golin e parë: pasimi i tërhequr i Luis Diaz për Szoboszlai, i cili godet dhe dërgon topin në rrjetë. Pope nuk mund të bëjë asgjë, është 1-0. Wilson i afrohet barazimit, por ky mbetet rasti i vetëm i një Newcastle të shuar dhe të lodhur: Salah dhe Jota janë pranë golit të dytë në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë, egjiptiani— i cili ndal serinë e tij prej tetë ndeshjesh radhazi me gol— merr rolin e asistuesit. Pikërisht nga këmbët e tij vjen topi për MacAllister, i cili realizon një supergol në minutën e 63′, duke vulosur rezultatin 2-0.

Statistikat e Salah vazhdojnë të impresionojnë: 25 gola dhe 17 asiste në Premier League, 30 gola dhe 22 asiste në të gjitha kompeticionet. Plot 52 gola të Liverpool mbajnë firmën e tij këtë sezon, dhe ish-lojtari i Romës kërkon me ngulm edhe golin personal, por pa sukses. Përpjekjet e Newcastle në fund nuk japin asnjë rezultat, me katërfishtë ndryshimin e bërë nga Howe që nuk sjell ndikim. Liverpool fiton 2-0 dhe ngjitet në kuotën e 67 pikëve, duke u shkëputur me 13 pikë nga Arsenali. Newcastle mbetet në kuotën e 44 pikëve, në vendin e gjashtë, tre pikë larg zonës së Champions League.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top