Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në takimin me shqiptarët e Italisë në Parma. Berisha foli për takimin që zhvilloi para dy javësh në Romës, ku tha se gjatë këtyre ditëve pati zhvillime të mëdha.
Ai përmendi fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance në Mynih, ku tha se ia tha kryeministrit Edi Rama në fytyrë se mandati nuk merret duke arrestuar liderët e opozitës. Berisha tha se Vance i dha deklaratat e tij pasi dhe ata kur ishin në opozitë në SHBA u përballën me probleme si të opozitës në Shqipëri.
Ish-kryeministri Berisha tha se të nësermen e largimit nga Roma u paraqit para shqiptarëve me kryestrategun e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, Chris LaCivita. Ky i fundit, tha lideri i opozitës, tmerroi Ramën dhe e bëri të thoshte se LaCivita ishte blerë nga Berisha.
Më tej, shtoi se Rama ka ngatërruar drejtuesin e fushatës elektorale të PD-së me ish-agjentin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Berisha tha se hija e McGonigal do të ndjekë Ramë gjithë jetë.
“Vetëm dy javë kanë kaluar nga takimi në Romë. Dy javë me zhvillime sa dy apo pesë vite. Me zhvillime të mëdha që kanë dridhur themelet e narkoshtetit, që po fusin narkoshtetin në vdekje klinike, në koma. Po, miqtë e mi. Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët. Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës. Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Të dashur miq, vetëm 5 ditë nga ai takim, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA, do ia plaste në fytyrë tiranit, do i thoshte Europës se problemi ynë është persekutimi, arrestimi i liderëve të opozitës. Përpjekja për të marrë mandate duke arrestuar liderë të opozitës. Censura. A kishte në atë sallë ndonjë lider, i cili kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? Asnjë tjetër, asnjë të vetëm. A kishte në sallë njeri që kishte marrë vendim për të censuruar mjetin më të fuqishëm të komunikimit të kohës, TikTokun? Vetëm se rinia shqiptare nuk i ndahej me TikTokun nga mëngjesi gjer në darkë kundër tij. A kishte në sallë ndonjë lider që kishte futur në dorë të gjitha mediat kryesore dhe i kishte shndërruar si organe të zyrës së tij? Jo, asnjë.
Miq, në Mynih, Edi Ramës, zëvendëspresidenti i vendit më të fuqishëm të botës, i tha ato të cilat ne ia deklaronim çdo ditë dhe çdo javë. Po pse kjo ngjashmëri? E bëri ai i nxitur nga ne? Jo, u them unë, jo. Ka një shkak tjetër më të thellë. Sepse opozita në vendin e madh, në atë vend, pësoi nga i njëjti armik, të njëjtat probleme, të njëjtat represione, të njëjtat censurë, të njëjtat akuza, siç pësoi opozita në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance shpalli armik më të rrezikshëm për Europën, se rusi dhe kinezët, atë që arreston liderët e opozitës për të marrë mandatet. Atë që censuron mediat sociale. Atë që kontrollon mediat dhe arreston gazetarët. Ky ishte një kushtrim për shqiptarët kudo që janë. Për njerëzit e lirë kudo që janë. Miq, jo vetëm kaq. Në këto dy javë kishte një zhvillim tjetër të madh.
Të nesërmen e largimit tim nga Roma, para shqiptarëve u paraqita me kryestrategun, me kryemagjistarin, bashkëkryemagjistarin e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, Chris LaCivita. Shkallmoi Edi Rama, u tmerrua, e pa me sy humbjen, fatalitetin e tij. Dhe menjëherë, me mediat e tij, deklaroi se Chris LaCivita u ble nga Berisha.
Po, po të ishte puna për të blerë, po ai e ngatërroi Chris LaCivita me McGonigalin. Po prisni se kam një lajm për ju sot.
Një gazetar i madh italian shkruante sot, e kam të paqartë marrëveshjen Rama-McGonigal sepse drejtësia e Biden e mbajti të fshehtë, një marrëveshje në të cilën ai mori një ryshfet 225 mijë. Po ajo marrëveshje ishte e tëra në kurriz të opozitës. Ishte marrëveshja për të shkatërruar opozitën në Shqipëri. Por kësaj radhe, postimi i këtij gazetari nuk mbeti në vesh të shurdhër. Kryetari i komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita e bëri share dhe u shpërnda në të gjithë elitën drejtuese të SHBA. Edi Rama, ja ku po të them nga Parma se hija e McGonigalit do të ndjekë gjer në ditën e fundit të jetës.”, u shpreh kreu i PD-së.