“Kur përfundon i 22-ti në turne, do të thotë se nuk kemi qenë të mirë. Ky është viti ynë më i keq.” Pas humbjes së rëndë në fushën e Real Madridit, që i kushtoi eliminimin nga Champions League, Pep Guardiola foli me zhgënjim për ndeshjen kundër Blancos: “Sot fitoi ekipi më i mirë, nuk kemi ritmin që ka Reali për momentin. Nëse luan një ndeshje të hapur me ta, ata janë shumë të zotë. Kam përballuar Realin më të mirë të viteve të fundit, ata janë në gjendje të mbajnë topin gjatë, të mbrohen, të vrapojnë dhe të luajnë lart kur duan. Nuk ka ç’të bëjmë, përgëzime për ta.”
“A jam ndjerë i pafuqishëm? Jo, nuk mund të them këtë. Në vitet e kaluara kemi qenë një skuadër e shkëlqyer, por këtë sezon, për shumë arsye, nuk jemi më – tha Guardiola, duke ulur pritshmëritë për Citizens – Për shumë vite kemi bërë diçka historike në vendin tonë, duke fituar kaq shumë trofe si kurrë më parë. Tani duhet të përqendrohemi për të siguruar një vend mes katër ose pesë ekipeve të para në kampionat”.
“Është fundi i një cikli? Ndoshta po. Asgjë nuk është e përjetshme, disa lojtarë kanë arritur një moshë të caktuar, asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Kemi fituar gjashtë Premier League në shtatë vite dhe në Europë kemi arritur çdo vit të paktën çerekfinalet, gjysmëfinalet apo finalen,” përfundoi trajneri katalanas, i cili megjithatë siguroi se nuk ka ndërmend të largohet: “A kam ende forcë për të vazhduar? Po, po, dua të vazhdoj.”
Ancelotti: “Kualifikimi na jep një motivim të madh”
“Kemi luajtur ndeshje të mëdha kundër City në vitet e fundit dhe ky kualifikim na jep një motivim të madh. Ishte më e rëndësishme reagimi në Manchester apo qasja e sotme? Çelësi ishte mbrojtja e mirë, e bëmë këtë si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në kthim. Kur mbrohesh mirë, cilësia e skuadrës del në pah.”
Kështu u shpreh trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, pas suksesit ndaj City-t, që u vulos nga tripleta e Mbappé: “Ai është shumë i qetë, kishte nevojë për këtë tripletë. Është ambientuar mirë dhe e ardhmja me të do të jetë pozitive.”
“Për ne, Champions League është kompeticioni më i rëndësishëm, por ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Skuadra është në një moment të mirë, po rikuperojmë disa lojtarë. Shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë,” shtoi Ancelotti.