Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga afati përfundimtar i regjistrimit të partive për zgjedhjet e 11 Majit, KQZ bën me dije se deri më tani janë 10 pari që kanë kërkuar të regjistrohen.
Nga partitë e mëdha, vetëm Patia Demokratike e ka bërë kërkesën, ndërsa PS duket se po pret ende. Ndërkohë dy partitë e reja, Mundësia e Agron Shehaj dhe Nisma Thurje e Endri Shabanit kanë kërkuar të regjistrohen.
Bie në sy se partia PSD e Tom Doshit dhe ajo “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt nuk janë regjistruar ende.
Në listë janë edhe disa nga partitë e tjera të vogla, të cilat kanë marrë pjesë rregullisht në zgjedhje, por pa arritur të marrin ndonjë rezultat të mirë.
Deri tani kanë kërkuar të regjistrohen në zgjedhje partitë politike:
1. Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK);
2. Partia Lëvizja e Legalitetit (P.L.L);
3. Partia Kombëtare Konservatore Albania (PKKA);
4. Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH/PD);
5. Mundësia (Mundësia);
6. Partia Kristian Demokrate (PKD);
7. Nisma Thurje (Nisma);
8. Partia e Unitetit Kombëtar (PUK);
9. Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD);
10. Partia Bashkimi Demokrat (PBD).