Futbolli brazilian është në zi pas vdekjes së Gabriel Protasio Gomes, i njohur si Gabriel Popó, në moshën 26-vjeçare. Mesfushori i ekipit XV de Jaú u shtrua me urgjencë në spital të dielën, më 16 shkurt, pasi u gjet i pavetëdijshëm nga një prej shokëve të skuadrës gjatë grumbullimit, ndërsa ekipi po përgatitej për mëngjesin para një ndeshjeje në kategorinë A3 të Campeonato Paulista. Pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore dhe transportit urgjent në spitalin Santa Casa de Jaú, futbollisti nuk arriti të mbijetonte. Rrethanat e sakta të vdekjes janë ende duke u hetuar dhe pritet një raport zyrtar për të përcaktuar shkakun.
Popó nuk ishte i grumbulluar për ndeshjen, por kishte vendosur të qëndronte pranë skuadrës dhe ishte bashkuar me shokët e tij në grumbullim. Sipas informacioneve të para nga mediat braziliane, ai u gjet i pavetëdijshëm nga një prej shokëve të tij, ndërsa përpjekjet e stafit mjekësor dhe transportimi në spital nuk patën sukses.
Gabriel Popó ndërron jetë në moshën 26-vjeçare
Ekipi XV de Jaú, i tronditur nga lajmi, lëshoi një komunikatë zyrtare duke anuluar ndeshjen kundër União Suzano në shenjë zie:
“Me dhimbje dhe trishtim të madh, njoftojmë vdekjen e futbollistit Gabriel Protasio, i njohur si Popó. Lojtari mori ndihmën e parë në ambientet e klubit dhe u transportua me urgjencë në Santa Casa de Jaú. Shkaku i vdekjes është ende duke u hetuar dhe do të konfirmohet pas publikimit të raportit nga organet përkatëse.”
Në deklaratë, klubi shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij për familjen e futbollistit: “Në këtë moment dhimbjeje, shprehim solidaritetin tonë me familjen, anëtarët e klubit, miqtë dhe shokët e Gabriel Popó. Urojmë që kujtimi i tij të nderohet dhe të gjejmë forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme.”
Gjithashtu, Federata e Futbollit e São Paulos shprehu keqardhjen e saj të thellë për ndarjen nga jeta të Gabriel Popó, duke shprehur ngushëllime për klubin dhe familjen e tij. Vdekja e papritur e futbollistit ka shkaktuar një valë ngushëllimesh dhe emocione të forta nga shumë klube dhe tifozë brazilianë.
Etiketa: Campeonato PaulistaPopóXV de Jaú