Kuvendi zhvillon sot seancën plenare me të njëjtin rend dite si të seancës së të enjtes së kaluar e cila u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, pas rrittjes së tensioneve nga ana e opozitës.
Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.
Më pas do të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.
Në seancë pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”.
Gjithashtu do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025”.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektvendimet për lirimin e Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit nga detyra e anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Po ashtu shqyrtohen projektvendimet për shkarkimin e Leka Bungos nga detyra e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar si dhe shkarkimin nga detyra e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.