Kievi nuk është ftuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë. Lajmin e dha BBC sipas një burimi të lartë në qeverinë ukrainase. I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg kishte thënë më parë se Kievi do të përfshihej në bisedimet e së hënës në Arabinë Saudite, por burimi tha se asnjë delegacion i tyre nuk do të ishte i pranishëm.
Udhëheqësve evropianë gjithashtu nuk u është kërkuar t’u bashkohen diskutimeve. Në vend të kësaj liderët evropianë do të takohen të hënën në Paris në një samit të organizuar me ngut nga presidenti francez, pasi po rritet frika se kontinenti mund të lihet jashtë nga negociatat.
Takimet e ndara të organizuara nga BE dhe SHBA pasojnë një javë të trazuar ku Uashingtoni ka sinjalizuar një ndryshim drastik në qasjen e tij ndaj luftës në Ukrainë. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, konfirmoi se ai po udhëtonte në Arabinë Saudite të dielën në mbrëmje për bisedimet e para ballë për ballë mes SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, do të takohen gjithashtu me negociatorët rusë atje, më pak se një javë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump zhvilloi një telefonatë me liderin rus Vladimir Putin. Telefonata e së mërkurës i dha fund një ngrirjeje 3-vjeçare të kontakteve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe Uashingtonit.
Zelensky ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur pranimin e një marrëveshjeje paqeje të negociuar pa Ukrainën. Ai i tha rrjetit televiziv amerikan NBC të dielën se “kurrë nuk do të pranonte asnjë pakt mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën. Kurrë”.
Witkoff u shpreh se zyrtarët amerikanë po flisnin veçmas me zyrtarët ukrainas dhe se kjo ishte “pjesë e bisedimeve”, por nuk tregoi nëse ai priste që Kievi të ishte i pranishëm në Arabinë Saudite.
Ndërkohë, Rubio minimizoi bisedimet me Arabinë Saudite, duke thënë se një takim nuk do të zgjidhte luftën dhe se një proces zyrtar negociues që do të ndërmjetësonte midis Ukrainës, Rusisë dhe palëve të treta nuk ishte krijuar ende. Ai i tha CBS News se megjithatë ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse Putini ishte serioz për arritjen e paqes.
Përballë SHBA-ve, një grup liderësh evropianë, duke përfshirë Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe Ursula von der Leyen të Komisionit Evropian do të takohen të hënën në Paris.
Një deklaratë e marrë nga CBS News konfirmoi se presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillonte një takim jozyrtar pasdite mbi Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Megjithatë, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se samiti nuk duhet të “tepër-dramatizohet”.
I dërguari i SHBA-së për Ukrainën, Kellog hodhi poshtë më herët shqetësimet për mosftesën e Evropës në Arabinë Saudite, duke argumentuar se negociatat e mëparshme kishin dështuar për shkak të përfshirjes së shumë palëve.
Takimet shënojnë një përshpejtim në përpjekjet e Trump për të arritur një fund të shpejtë të luftës. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan kishte zhvilluar një telefonatë “të gjatë” me presidentin rus Vladimir Putin të mërkurën, pas së cilës Trump tha se negociatat për të ndaluar “luftën qesharake” në Ukrainë do të fillonin menjëherë.
Ai tha gjithashtu se nuk ishte “praktike” që Ukraina të bashkohej me NATO-n dhe “me pak gjasa” ajo mund të kthehej në kufijtë e saj para pushtimit të vitit 2014-ës. Ukraina ka bërë thirrje vazhdimisht për anëtarësim në NATO dhe ka refuzuar dhënien e territorit si pjesë e çdo marrëveshje paqeje. Qëndrimi i Trump është mbështetur edhe nga sekretari i tij i mbrojtjes, duke nxitur alarmin evropian se SHBA mund të bëjë lëshime ndaj Rusisë përpara se të negociojë ndonjë marrëveshje paqeje.
Pete Hegseth tha gjithashtu se kombet evropiane duhet të sigurojnë pjesën “dërrmuese” të financimit për Ukrainën – duke pretenduar se SHBA nuk do të “tolerojë më një marrëdhënie të çekuilibruar” me aleatët e saj. Nënpresidenti i SHBA, JD Vance tha në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se Evropa duhet “të rritë më shumë shpenzimet për të siguruar mbrojtjen e saj”, në fjalimin e tij të mbushur kryesisht me kritikuar demokracitë evropiane.
Zelensky bëri thirrje të shtunën për krijimin e një ushtrie evropiane, duke argumentuar se kontinenti nuk mund të mbështet më tek Uashingtoni. Ndërkohë, lufta në Ukrainë vazhdoi edhe dielën. Zelensky që tha se një sulm rus kishte lënë të paktën 100 mijë njerëz pa energji në Mykolaiv.
Ai tha se shtëpitë ishin pa ngrohje pas një sulmi me dron në “infrastrukturën kritike” të qytetit. Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, pasi kishte pushtuar tashmë Krimenë dhe një pjesë të rajonit lindor të Donbasit në 2014.