Bylis dhe Elbasani nuk arritën të nxjerrin një fitues nga përballja e zhvilluar në kuadër të javës së 25-të të Superiores, duke u ndalur në një barazim 1-1. Një ndeshje me dy tablo të ndryshme në secilën pjesë, ku të dyja skuadrat kishin mundësitë për të marrë më shumë, por në fund u detyruan të kënaqen me nga një pikë.
Elbasani nis më mirë dhe gjen golin
Takimi nisi me një Elbasan më kërkues, që e shfrytëzoi në maksimum momentin e tij të mirë. Vetëm në minutën e 11′, Tsague arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke i dhënë epërsinë skuadrës së trajnerit Gvozdenovic. Bylis, nga ana tjetër, nuk arriti të reagonte menjëherë, teksa u shfaq i paqartë në finalizimin e aksioneve. “Kërkuam që në fillim të fitonim ndeshjen, në 10 minutat e fundit ishim duke menduar vetëm të fitonim takimin. Nga fillimi ne kërkuam të fitonim, shënuam një gol të bukur, fusha e Ballshit është e vështirë. Me një pikë nuk mund të them se jam i kënaqur, por jam i mrërzitur sepse mund ta fitonim ndeshjen”, tha tekniku verdheblu Ivan Gvozdenovic.
Bylis zgjohet dhe tenton përmbysjen
Pas një 45-minutëshi të parë nën kontrollin e Elbasanit, në fraksionin e dytë skena ndryshoi plotësisht. Bylis rriti ritmin dhe ushtroi presion të vazhdueshëm mbi mbrojtjen kundërshtare. Berko, në minutën e 63′, përfitoi nga një situatë e favorshme në zonë dhe me një goditje të saktë vendosi ekuilibrat në rezultat.
Lexo më tej: Egnatia shumë e fortë për Partizanin: 2-0, gol i anuluar e shumë diferenca në fushë
Vendasit u hodhën në sulm me synimin për të përmbysur gjithçka, duke krijuar disa raste të rrezikshme, por pa mundur të dërgojnë sërish topin në rrjetë. Në anën tjetër, Elbasani u mundua të ruante rezultatin, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke provuar të godiste në kundërsulme. “E dyta ishte një pjesë më e mirë pasi mund të shënonim dhe golin e dytë dhe të fitonim ndeshjen. Unë nuk merrem me arbirtimin, por dy ditë në ambientin e klubit janë të mërzitur nga kjo pjesë. Djemtë gabuan jashtëzakonisht shumë në pjesën e parë, por ishin entuziastë ndoshta nga ardhja e trajnerit të ri”, tha tekniku i ballshiotëve Gentian Mezani.
Pasojat në renditje – Luftë e ashpër për mbijetesë dhe Europë
Me këtë barazim, Bylis pozicionohet në vendin e shtatë me 25 pikë, vetëm një pikë larg zonës së ftohtë, duke mbetur në një situatë delikate për sa i përket mbijetesës. Elbasani, nga ana tjetër, me 30 pikë, ruan vendin e pestë, por humb terren në garën për një vend në zonën europiane.
Për trajnerin Mezani, ky ishte debutimi në stolin e Bylis, ndërsa përballë kishte një Gvozdenovic që kërkonte një tjetër rezultat pozitiv me Elbasanin. Në fund, asnjë nga skuadrat nuk ishte plotësisht e kënaqur, duke qenë se të dyja patën shanset për të marrë tri pikët.