Egnatia shumë e fortë për Partizanin: 2-0, gol i anuluar e shumë diferenca në fushë

Egnatia ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në Superiore, duke mposhtur Partizanin me rezultatin 2-0 në sfidën e javës së 25-të të kampionatit. Dueli i zhvilluar në “Arena Egnatia” u vendos nga golat e Regi Lushkjës në minutën e 5′ dhe Eljon Sotës në të 61′, duke vulosur një sukses që i lejon rrogozhinasit të ruajnë vendin e parë në renditje.

Dominim i Egnatias dhe një Partizan i pafuqishëm
Sfida nisi me një ritëm të lartë, dhe vendasit nuk vonuan për të marrë avantazhin. Një gabim në pasim i Domgjonit u shfrytëzua në mënyrë perfekte nga Lushkja, i cili realizoi një gjuajtje të saktë nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë në minutën e 5′. Ky gol i hershëm i dha qetësi Egnatias, që vazhdoi të diktonte ritmin e lojës gjatë gjithë pjesës së parë. Një moment kyç ndodhi në mes të fraksionit të parë, kur Malota u detyrua të largohej për shkak dëmtimi, duke i hapur rrugë në fushë Eljon Sotës.

Në pjesën e dytë, Wotlai mendoi se kishte dyfishuar avantazhin për Egnatian, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Megjithatë, vendasit nuk u ndalën dhe vazhduan të kërkonin golin e sigurisë. Ai erdhi në minutën e 61′, kur Sota shënoi me kokë pas një krosimi të saktë, duke vulosur fitoren për skuadrën e Eduart Papës. Në shenjë respekti për të kaluarën e tij te Partizani, Sota vendosi të mos festonte golin. “Mendoj që është një ecuri e mirë që nga fillimi i janarit – tha tekniku i Egnatias Edlir Tetova -. Janë 6 fitore, një ogur i mirë. Po punojmë mirë. Patëm disa cedime pastaj e dominuam pjesën e dytë. Patjetër jam i kënaqur”.


Pasojat në renditje – Egnatia e pandalshme, Partizani në rënie
Ky sukses i lejon Egnatias të mbajë kreun e renditjes, duke arritur 48 pikë, ndërsa Partizani, me 40 pikë, zbret në vendin e katërt. Rrogozhinasit janë në një formë brilante, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat dhe të nëntën në të gjitha kompeticionet, përfshirë Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Në anën tjetër, kjo humbje është e para për Veselinovic në pankinën e Partizanit, duke qenë se serbi e ndoqi sfidën me Bylis nga tribunat. “Humbja e parë me ekipet e Final 4 për ju si trajner? Tani është situata që nuk dimë nëse gota është gjysmë e mbushur apo bosh. Janë situata normale në futboll. Pas 5 muajsh e gjysmë që ne punojmë këtu, është humbja e dytë. Nuk besoj që në ligat më kompetitive ka ekip që në 5 muaj e gjysmë, ka dy humbje. Çdo ndeshje ka diskutimin e vet, vazhdojmë tutje”, është shprehur Veselinovic.

Egnatia, favorite për titull?
Me këtë fitore, kampionët në fuqi konfirmojnë se janë kandidati kryesor për të mbrojtur titullin, ndërsa Partizani duhet të gjejë sa më shpejt mënyrën për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, për të mos humbur terren për vendin e dytë, me avantazhin e dy rezultateve në tre në Final 4.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top