Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri disa deklarata të forta gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Zelensky tha se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje paqeje pa pjesëmarrjen e saj dhe do të refuzojë çdo lloj marrëveshjeje të mundshme pas shpine. Zelensky tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih se ka ardhur koha që të formohen forcat e armatosura të Europës. Ai theksoi se vetëm forcat e armatosura të Ukrainës, nuk mjaftojnë për sigurinë.
“Teksa ne luftojmë dhe hedhim bazat për paqen dhe sigurinë, ne duhet të ndërtojmë Forcat e Armatosura të Evropës, në mënyrë që e ardhmja e Evropës të varet vetëm nga evropianët”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas këkoi sërish unitet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara përballë agresioni rus.
Sipas tij, inteligjenca ukrainase sugjeron se Rusia po dërgon trupa në Bjellorusi. Kjo sipas tij lë të hapur një mundësi për sulm ndaj një tjetër vendi europian. Deklaratat e Zelenskyt u bëjnë thirrje liderëve evropianë të mendojnë më seriozisht për mbrojtjen e tyre. Ai theksoi se nuk duhet lejuar që konflikti me Rusinë të ndikojë negativisht në stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.