Egnatia kërkon arratinë me Partizanin, Dinamo të ruajë 100% fitoret me Vllazninë

Java e 25-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të zhvillohet këtë fundjavë, më 15 dhe 16 shkurt. Të shtunën do të luhen dy ndeshje në orën 13:30. Kryesuesit e kampionatit, Egnatia do të presin Partizanin në “Egnatia Arena”, ndërsa Bylisi do të përballet me AF Elbasanin në stadiumin “Adush Muça”. Dita e shtunë do të mbyllet me sfidën mes Dinamo City dhe Vllaznisë, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 16:30. Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 25-të. Laçi do të presë Teutën në orën 13:30, ndërsa Tirana dhe Skënderbeu do të përballen në “Elbasan Arena” në orën 16:30.

PËRPLASET “FINAL 4”
Kur dy finalistët e edicionit të kaluar, që për më tepër janë sërisht në pozita kryesuese, përplasen mes tyre, është e pashmangshme të bëhen llogaritë e pozitave në Final 4. 5 pikët që ndajnë Egnatian kryesuese nga Partizani i vendit të tretë janë një hendek që mund të bëhet abis, nëse kampionët në fuqi fitojnë përballjen e fazës së tretë në Rrogozhinë. Tetova do të ishte i lumtur që në përballjet që do të kenë rëndësi të ketë dy rezultate në tre, ndaj do të kërkojë fitoren e parë sezonale kundër të kuqve, si prova gjenerale për rikonfimrimin kampion.

Veselinovic nga ana tjetër nuk është aspak në një situatë të mirë, me vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit. Fakti që nuk është mundur, ndihmon por jo shumë. Sidoqoftë, Partizani duhet të fitojë në Arena Egnatia ashtu si bëri në fazën e parë, kur pushtoi fushën kundërshtare 0-2, për tu afruar në distancë parakalimi. 1-1 i fazës së dytë është një paralajmërim se është më mirë që të kuqtë ta mbyllin sezonin e rregullt në dy vendet e para, sepse situata mund të bëhet fare e pakëndshme me detyrimin e fitores në katërshe.

Sezoni i kaluar dha një mesazh: asnjë nga skuadrat që duhej vetëm të fitonte nuk arriti finalen, kështu që Veselinovic për të tentuar të tikthejë titullin kampion në kryeqytet, duhet të fitojë në Rrogozhinë ndaj Egnatias.

DAJA E REKORDI 100% ME VLLAZNINË
Dy fitore në dy dhe e treta në përballje direkte do t’i japë edhe rrokadën në renditje Dinamos, kur përballë të ketë Vllazninë në fazën e tretë të kampionatit. Një 90 minutësh që do të vlejë shumë për Final 4, por edhe që do të jetë një tregues force për të dy skuadrat: Daja për të thyer serinë negative me vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit e Brdaric për të mposhtur nëndetësen për herë të parë në këtë sezon. Një moment jo për kryeqytetasit që kanë zbritur nga vendi i parë në të katërtin, duke marrë 6 pikë nga 15 të mundshmet.

Daja pret që pika e kthesës të jetë pikërisht në sfidën me shkodranët që mbajnë vendin e dytë me tre pikë më shumë. E atëherë pasi i ka mundur 2-1 në ndeshjen e luajtur në shtëpi, edhe pse Dinamo luan jashtë Tiranës në cdo ndeshje, tekniku është përsëritur me një 2-3 impresionuese në Loro Borici e tani kërkon trisin për të ruajtur 100% fitoret ndaj Vllaznisë.

Brdaric nga ana tjetër po vrapon drejt kreut dhe serinë e fitoreve në 5 ndeshjet e fundit e ka prishur vetëm humbja me Egnatian. Kuqeblutë duan të mbajnë në distancë rivalin direkt për të mos lejuar shkëmbimin e vendeve dhe e kanë të qartë se fitorja do të ishte shumë e rëndësishme për forcimin e pozitave në dy vendet e para. Vështirësia qendron se deri tani nuk ka mundur t’i shkëpusë asnjë pikë formacionit të Dajës dhe kjo do të jetë një provë ku janë shumë gjëra në lojë.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top