Në një njoftim të fundit për mediat, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë kërkuar hetime të menjëhershme për mosveprimin e Policisë së Shtetit dhe mungesën e bashkëpunimit të saj me Gardën e Republikës, gjatë protestës që u zhvillua më 12 shkurt 2025 para Gjykatave të Posaçme, kur mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj u mblodhën në mbështetje të tij.
Sipas shkresës së dërguar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, situata e krijuar gjatë protestës ka vënë në rrezik sigurinë e gjyqtarëve dhe personelit të administratës, duke përfshirë pengimin e lëvizjes së tyre dhe sulme ndaj automjeteve shoqëruese.
GJKKO e ka cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të ligjit dhe një tentativë për të ndikuar në punën e sistemit të drejtësisë.
