Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD. Vance tha se Shtetet e Bashkuara mund të godasin Moskën me sanksione dhe veprime të mundshme ushtarake nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk bie dakord për një marrëveshje paqeje me Ukrainën që garanton pavarësinë afatgjatë të Kievit.
“Ka mjete të levave ekonomike, ka sigurisht mjete levash ushtarake”që SHBA mund të përdorë kundër Putinit,” tha Vance në një intervistë për gazetën Wall Street Journal.
“Ka shumë formalitete, shumë skema, por ne duam që Ukraina të ketë pavarësi sovrane,” tha ai.
Presidenti amerikan Donald Trump diskutoi luftën me presidentin rus Vladimir Putin dhe veçmas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën dhe u kërkoi zyrtarëve amerikanë të fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit gati tre-vjeçar.
Thirrjet telefonike erdhën menjëherë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha aleatëve ushtarakë të Ukrainës në Bruksel se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 – përpara se Rusia të aneksonte Krimenë – nuk ishte një qëllim real dhe se SHBA nuk e shihnin anëtarësimin e Kievit në NATO si pjesë e zgjidhjes.
Ukrainasit shprehën shqetësimin dje, të enjten, se Trump po përgatitet të shesë vendin e tyre pas telefonatës së tij me Putinin. Më herët dje, Trump tha se Ukraina do të merrte pjesë në bisedimet e mundshme të paqes me Rusinë. Ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Ukraina do të kishte një vend në tryezë gjatë çdo negociate paqeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
“Unë mendoj se ka një marrëveshje që do të dalë nga kjo që do të tronditë shumë njerëz,” tha Vance.
Vance gjithashtu ra dakord që Trump mund të ndryshojë mendje në varësi të mënyrës se si do të përparojnë negociatat.
“Presidenti Trump mund të thotë, shikoni, ne nuk e duam këtë, mund të mos na pëlqejë kjo, por ne jemi të gatshëm ta kthejmë atë në tryezë, nëse rusët nuk janë partnerë të mirë negociues ose nëse ka gjëra që janë shumë të rëndësishme për ukrainasit që ne mund të duam t’i heqim nga tavolina”, tha ai.