Sjellja e tifozëve të Manchester City ndaj Vinicius u kthye në një bumerang të vërtetë. Publiku i Etihad i rezervoi një pritje “të veçantë” brazilianit gjatë ndeshjes së parë të playoff-it të Ligës së Kampionëve, duke shfaqur një pankartë tallëse për Topin e Artë që përfundoi në duart e Rodri-t dhe duke e shoqëruar atë me kore të pandërprera. Sulmuesi iu përgjigj jo vetëm me një paraqitje të shkëlqyer, por edhe me një gjest të shpejtë drejtuar tribinave.
Tallja e Etihad ndaj Vinicius
Titulli i një kënge të grupit Oasis, “Stop Crying Your Heart Out” (“Mos qaj më”) i shoqëruar me një imazh të Rodri-t duke puthur Topin e Artë. Kjo ishte mënyra me të cilën tifozët e City-t vendosën të tallnin Viniciusin, pas polemikave për mosfitimin e çmimit nga ai dhe zhgënjimin e shprehur nga lojtarët e Real Madridit për triumfin e mesfushorit spanjoll të Citizens. Kur Rodri doli para gazetarëve në zonën miks të stadiumit, ai u pyet për situatën dhe u përgjigj shkurt: “Shumë mirë”.
Man City fans: “Where’s your Ballon d’Or?”
Vinicius:pic.twitter.com/7f0O0uhXHs
— Mikael (@MikaelMadridsta) February 11, 2025
Koret e tifozëve për Vinicius dhe hakmarrja e tij
Përveç pankartës, gjatë gjithë ndeshjes tifozët e City-t nuk pushuan duke kënduar: “Ku është Topi i Artë?”, duke e ngacmuar vazhdimisht Viniciusin. Megjithatë, në vend që ta shpërqendronin, ata thjesht e motivuan më shumë. Në një moment të ndeshjes, pas shumë thumbimesh nga tribuna, braziliani reagoi duke treguar me gisht emblemën e Real Madridit me 15 Champions League të fituara, një gjest i shpejtë që e shoqëroi me një buzëqeshje ironike. Në fund, ishte ai që kishte të drejtë, pasi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Në intervistën pas ndeshjes, Vinicius e pranoi se pankarta dhe sjellja e tifozëve të City-t vetëm sa i kishin dhënë më shumë motivim: “Pankarta? E pashë, por sa herë që tifozët kundërshtarë bëjnë diçka të tillë, më japin më shumë forcë për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Dhe unë e bëra këtë këtu. Ata e dinë historinë tonë, gjithçka që kemi arritur në këtë kompeticion”. Ndoshta herën tjetër, tifozët e Manchester City-t do të mendojnë dy herë përpara se të krijojnë situata që mund të kthehen kundër tyre.