Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimin e Erion Veliajt në rubrikën Sy m’sy”. Rama tha se opozita u ekzaltua, ndërsa lajmëroi se pas 5 vitesh do të flasë për drejtësinë e re dhe SPAK.
“Marrja nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloj me formulën 5 vjeçare s’kam koment. Nuk do i mbaj më për vete komentet e mia. Kur do ta shoh do e ndaj me publikun.
Bëhet fjalë për një proces të çuditshëm për ta thënë minimalisht siç është thënë. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh anonime dorëzuar shkurtin e kaluar që ka pjellë një roman 400 faqe, afërsisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur në pikën që edhe në një fëmijë 6 vjeç ta dënojmë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim.
Pyetja që lind është është se kush e çon dhe e mer këtë fëmijë nga shkolla, kush dhe si i jep këtij fëmije për të ngrënë. Teoria se ka njerëz është e gjitha për t’u diskutuar. Por vetëm ky fakt se kemi pasur raste të tjera ku me të drejtë një nëne me fëmijë i është privuar liria ndërkohë që ndiqet në gjendje të lirë. Kemi pasur edhe raste të tjera për 1001 arsye që janë trajtuar ndryshe.
Mungesa e këtij uniformiteti e fakti që merren dhe trajtohen si kriminelët e kriminelëve, Kryetari i bashkisë, e shoqja dhe fëmija 6 vjeç në mes është peshë e atillë që nuk duhet folur asnjë fjalë më shumë sot pa kuptuar se cilat janë krimet për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie. Pa gjyq. Këtu flas për krimet e provuara dhe jo krimet e promovuara nëpër media e rrugë nga gojët më të ndyra nga qua qua qua-të dhe nga bufi stërplak i kënetës. Ky ishte qëndrimi im i përgjithshëm për këtë çështje dhe patjetër që kemi kohë që gjërat t’i diskutojmë.
Jo vetëm oxhaku i vjetër i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallet e partiçkave, kanë vënë shishet poshtë, që kërkojnë dorëheqjen time, se u bë deti kos. Nuk kanë lidhje me punën time, me punën tonë. Drejtësia, mbështetja jonë do vazhdojë njësoj, e palëkundur, por nuk ka pse të mos i shprehim opinionet kritike, për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së pavarur. Heshtja jonë, i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë deri këtu. Deri tani, u mungon kritika konstruktive, nxjerrja në pah e të metave. Pozicioni konstruktiv është bosh. Asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë, heshtja jonë është keqkuptuar, jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi, por edhe nga disa konsumatorë, që kërkojnë privilegje speciale që janë dhënë nga reforma”, theksoi Rama.