Cikloni Kolo Muani vazhdon të fryjë fuqishëm mbi Serie A dhe të tërheqë Juventus përpara. Sulmuesi francez, pas tre golave në dy ndeshjet kundër Napolit dhe Empolit, shënon për të tretën ndeshje radhazi (i pari lojtar i Juventus që e arrin këtë në epokën e tre pikëve për fitore), edhe një herë me dygolësh, duke i dhuruar ekipit të teknikut Thiago Motta fitoren e dytë radhazi dhe rikthimin në vendin e katërt për 48 orë.
Skuadra vendase luajti më mirë në pjesën e parë, por nuk konkretizoi rastet. Kështu, është Juventus ai që kaloi i pari në avantazh. Në minutën e 34′, pas një aksioni që nisi nga një goditje këndi në favor të Como, Weah rikuperoi topin dhe shërbeu për Nico Gonzalez: argjentinasi pasoi në thellësi për Kolo Muani, i cili shpërtheu me shpejtësi, kaloi mbrojtësin Dossena dhe goditi fuqishëm drejt Butez, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës.
Skuadra e Fabregas reagon dhe gjen barazimin pak sekonda para pushimit: pas një zhvillimi të goditjes nga këndi, Koopmeiners i zhvendosur në të djathtë nuk arriti të largonte topin siç duhet, madje rrëshqiti. Cutrone e shfrytëzoi menjëherë dhe krosoi në mënyrë perfekte për Diao, i cili goditi me kokë dhe e dërgoi topin nën traversë.
Gafa e Butez e ftohtësia e Kolo Muani
Në pjesën e dytë, skenari nuk ndryshoi: Como dominoi zotërimin e topit, ndërsa Juventus u përpoq (me vështirësi) të kundërsulmonte. Në minutën e 30′, Motta largoi nga loja gjithë mesfushën e tij (jashtë Koopmeiners dhe Locatelli, brenda Douglas Luiz dhe Thuram), por ndryshimet nuk dhanë efekt. Për më tepër, trajneri italo-brazilian vendos të mos e aktivizojë as edhe për një minutë Dusan Vlahovic.
Ndaj, duhej një episod për të zhbllokuar ndeshjen, dhe ai erdhi nga një gabim fatal i portierit Butez, i cili në një krosim të zakonshëm nga goditja e dënimit, shkaktoi faull ndaj mbrojtësit Gatti në zonë. Nga pika e bardhë, Kolo Muani nuk gaboi dhe i siguroi Juventus vendin e katërt në renditje, me +1 pikë ndaj dyshes Lazio-Fiorentina. Për Fabregas, ndërkohë, avantazhi ndaj Parmës, që ndodhet në vendin e tretë nga fundi, mbetet vetëm 2 pikë.