Marcus Jordan, djali i dytë nga pesë fëmijët e Michael Jordan, është arrestuar në Florida për posedim kokaine, drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe kundërshtim të policisë. Pamjet e kamerave të vendosura në uniformat e oficerëve të policisë kanë regjistruar momentin e arrestimit të tij, ndërsa ndodhej në makinë me një grua.
Gjykatësi ka caktuar një kaution prej 4,000 dollarësh dhe Marcus Jordan tashmë është liruar. Sipas raportit të arrestimit, një oficer vuri re një SUV Lamborghini blu të ndalur mbi shinat e trenit dhe, pasi u afrua, ndjeu një erë të fortë alkooli. Pas disa pyetjeve, Jordan pranoi se kishte konsumuar alkool, por këmbënguli se ishte nën kufirin ligjor, duke pranuar të kryente testin. Gjatë kontrollit, policia gjeti një qese me pluhur të bardhë, e cila më pas u konfirmua si kokainë.
Videoja e arrestimit publikohet nga policia
“Vëlla… jam djali i Michael Jordan! Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Po përpiqesha thjesht të kthehesha në shtëpi dhe gabova rrugën, ok? Nuk kam marrë asgjë që të më pengonte të shkoja në shtëpi”, ishin fjalët e para të Marcus Jordan ndaj policisë. Në momentin e arrestimit, makina e tij ishte bllokuar në shinat e trenit, me rrotat e mbuluara nga dheu dhe gurët, për shkak të manovrave të përsëritura për t’u larguar prej andej. Pasi dështoi të lëvizte makinën, sjellja e tij ngjalli dyshime tek policët, të cilët vendosën ta kontrollonin më tej.
Gjatë një pjese të bisedës me oficerët, Marcus Jordan dëgjohet duke thënë: “Në fakt, ne thjesht duam ta nxjerrim makinën tonë nga ato të mallkuara shina, ku nuk duhej të kishim hyrë fare”.
Marcus Jordan, përsëri në telashe pas incidentit të vitit 2024
Ky nuk është incidenti i parë për Marcus Jordan. Në korrik 2024, ai u fotografua në Francë, duke thithur një substancë të bardhë, një ngjarje që shkaktoi polemika të shumta. Kur një polic i tha se kishte pirë shumë atë mbrëmje, Jordan u përgjigj “Nuk jam dakord”. Gjatë kontrollit fizik, kur oficerët gjetën kokainë në pantallonat e tij, ai iu drejtua policit me fjalët: “Aty do të gjesh vetëm një k*r të madh dhe ca k*qe të mëdha”.
Marcus Jordan u dërgua në burgun e qarkut Orange, por gjatë gjithë rrugës këndoi pa pushim. Ai u lirua vetëm pak orë më vonë.