Të dielën, Barcelona mundi Alaves 1-0 falë një goli të të zakonshmit Lewandowski, duke u afruar kështu në vetëm katër pikë nga kryesuesi Real Madrid, i cili kishte humbur në fushën e Espanyol. Mes dy rivalëve të përjetshëm ndodhet Atletico Madrid, çka e bën garën për titull edhe më emocionuese. Ndeshja në Montjuïc pati një moment dramatik pas vetëm pak minutash, kur një përplasje kokë më kokë mes mesfushorit Gavi dhe Conechny i la të dy lojtarët të shtrirë në tokë. Sulmuesi argjentinas i Alaves, 26-vjeçari Conechny, dukej se kishte pësuar dëmtimin më të rëndë, pasi u godit në fytyrë dhe u largua me barelë. Ndërkohë, Gavi u ngrit në këmbë dhe dukej i gatshëm të vazhdonte lojën, por u detyrua të largohej nga stafi mjekësor i Barcelonës pasi nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej një pyetjeje të thjeshtë: “Çfarë dite është sot?” – “Nuk kam as idenë më të vogël.”
Gavi nuk arrin të orientohet: detyrohet të largohet nga Barcelona-Alaves
Sipas protokollit mjekësor për dëmtimet e kokës, të gjitha stafet mjekësore duhet të ndjekin një procedurë të caktuar për të vlerësuar nëse një lojtar mund të vazhdojë të luajë. Në këto raste, mjeku i ekipit ka fjalën e fundit. Dhe pas disa pyetjeve drejtuar Gavit, të kapura edhe nga kamerat televizive, u bë e qartë se mesfushori 20-vjeçar nuk ishte në gjendje të vazhdonte.
“Çfarë dite është sot?” – e pyeti doktori Ricard Pruna. Përgjigja e Gavit alarmoi menjëherë mjekun dhe të gjithë ata që e dëgjuan: “Nuk kam as idenë më të vogël.” Në atë moment, doktori i bëri një tjetër pyetje: “Po ora sa është? Mund të më thuash orën e ndeshjes?” Këtë herë, Gavi arriti të përgjigjej saktë dhe pa hezitim: “Ora dy”.
Esto de Gavi me tiene llorando pic.twitter.com/sVh5l1CFey
— Jeff (@JeffFcb14) February 2, 2025
Megjithatë, për shkak të përgjigjes së parë shqetësuese, mjeku vendosi ta largonte nga loja dhe e komunikoi këtë vendim stafit teknik. Por mesfushori spanjoll nuk donte të dilte nga fusha aq shpejt. Në atë moment, kapiteni Raphinha u afrua dhe i foli qetësisht: “Më dëgjo, ke marrë një goditje në kokë, vëlla.” Edhe trajneri Flick, pasi mori diagnozën nga mjeku (“është tronditje cerebrale”), u afrua për t’i shpjeguar me tone prindërore se nuk mund të rrezikonte: “Duhet të jemi të kujdesshëm”.
LOOK AT THE WAY FLICK IS TALKING TO GAVI TELLING HIM HE CAN’T PLAY ON ❤️ pic.twitter.com/oaW6spbX42
— ᴘɢ² (@angrygavi) February 2, 2025
Në fund, Gavi pranoi të largohej dhe u zëvendësua nga Fermin Lopez. Ai u dërgua menjëherë në spital për kontrolle të thelluara, të cilat nuk zbuluan asnjë problem serioz. Barcelona më pas lëshoi një deklaratë zyrtare: “Gjatë ndeshjes së pasdites kundër Alaves-it, Gavi pësoi një traumë në kokë pa humbje ndjenjash. Testet rezultuan normale dhe lojtari është liruar nga spitali”. Një moment frike e madhe, por fatmirësisht, asgjë më shumë.