Të gjitha ndeshjet e raundit të 8 të Europa League do të luhen mbrëmjen e sotme dhe do të përcaktojnë 8 skuadrat që shkojnë direkt në fazën e 1/8 dhe 16 të tjerat që do të luajnë në playof. Roma, vetëm me një fitore do të sigurojë kalimin në fazën e eliminimit direkt të Europa League, ndërsa të enjten ata presin Eintracht Frankfurtin, tashmë të kualifikuar, në ndeshjen përmbyllëse të fazës së grupeve. Klubi italian ka vetëm një pikë avantazh nga zona e eliminimit, ndërsa gjermanët janë të qetë në vendin e dytë.
Rreziku i eliminimit të bujshëm
Duke iu afruar fundit të një sezoni të paqëndrueshëm, Roma rrezikon të eliminohet që në fazën e parë të një gare evropiane për herë të parë që nga dalja e hershme në Champions League, 10 vjet më parë. Verdhekuqtë nuk janë eliminuar kurrë në raundin e parë të Europa League apo Kupës UEFA, por nëse nuk arrijnë tri pikët në sfidën e fundit të së enjtes, mund të dalin nga Top 24. Humbja 1-0 javën e kaluar ndaj AZ Alkmaar shkaktoi kritika të ashpra nga Claudio Ranieri, zakonisht një trajner i qetë, pasi Roma nuk arriti të siguronte një vend në fazën “playoff”. Deri tani, ata kanë fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e tyre në grup.
Ranieri mund të ketë stabilizuar ekipin pas një periudhe të gjatë krize, por Roma ndodhet vetëm në vendin e nëntë në Serie A, nëntë pikë pas rivalëve të qytetit dhe liderëve aktualë të Europa League, Lazios, që mbajnë vendin e katërt të Champions League për Italinë. Pas zhgënjimit evropian në Alkmaar, Roma iu rikthye kampionatit të dielën dhe më në fund i dha fund një serie prej 13 ndeshjesh pa fitore në transfertë, duke mposhtur Udinesen 2-1. Fitorja e dy ndeshjeve radhazi në kampionat, për herë të dytë këtë sezon, duhet të përmirësojë atmosferën para sfidës vendimtare në “Stadio Olimpico”.
Precedentët
Historia është në favor të Romës në një aspekt – ata kanë humbur vetëm tre nga 45 ndeshjet e fundit në shtëpi në garat evropiane, duke fituar 33. Megjithatë, bilanci kundër ekipeve gjermane nuk është aq i mirë, me vetëm tre fitore në 14 përballje të fundit. Nga ana tjetër, Eintracht Frankfurt do të përballet për herë të parë me Romën, tashmë me biletën e siguruar për fazën me eliminim direkt. “Die Adler” mund të kalojnë direkt në 1/8-at pa nevojën e një “playoff”-i, pasi një pikë e vetme do t’i garantonte një vend mes tetë më të mirave.
Transfertat pika e fortë e Frankfurt
Gjithsesi, nëse humbasin, çdo gjë do të varet nga rezultatet e tjera – vetëm tre pikë ndajnë ekipin e Dino Toppmöllerit nga Bodo/Glimt në vendin e dhjetë. Javën e kaluar, fitorja 2-0 në shtëpi kundër Ferencvárosit e ngjiti Frankfurtin në vendin e dytë, me golat e Can Uzun dhe Hugo Ekitike që siguruan triumfin e pestë në këtë fazë. Tani ata rikthehen në transfertë.
Megjithëse në xhiron e fundit humbën 3-2 në Lyon – duke i dhënë fund një serie prej 18 ndeshjesh të pamposhtura në këtë kompeticion – kampionët e Europa League të vitit 2022 kishin fituar pesë ndeshjet e mëparshme në transfertë. Kjo u jep besim për udhëtimin në Romë. Pas një barazimi dramatik 2-2 kundër Hoffenheimit në fundjavë – ku Ekitike shënoi dy herë para se ekipi të pësonte golin e barazimit në fund – Eintracht renditet brenda Top 3 të Bundesligës dhe hyn në këtë sfidë me vetëbesim të lartë.
League Stage Europa League
21:00 AS Roma – Eintracht Frankfurt
21:00 Ajax – Galatasaray
21:00 Anderlecht – Hoffenheim
21:00 Athletic Club – Viktoria Plzen
21:00 Dynamo Kyiv – RFS
21:00 FC Midtjylland – Fenerbahce
21:00 FC Twente – Besiktas
21:00 FCSB – Manchester United
21:00 Ferencvaros – AZ Alkmaar
21:00 Lyon – Ludogorets Razgrad
21:00 Maccabi Tel Aviv – FC Porto
21:00 Nice – Bodoe/Glimt
21:00 Olympiacos – Qarabag FK
21:00 Rangers – Union St.Gilloise
21:00 Real Sociedad – PAOK FC
21:00 SC Braga – Lazio
21:00 Slavia Prague – Malmo FF
21:00 Tottenham Hotspur – Elfsborg