Nëntë javë kampionati më parë Tirana shkarkonte Bledi Shkëmbin, duke sjellë në krye të skuadrës Gugash Maganin. Asgjë nuk shkoi mirë dhe Magani nuk mundi të bënte dot asgjë më shumë se paraardhësi i tij Shkëmbi, për të mos thënë se bëri më keq. Rezultatet në fakt tregojnë këtë të dytën: 9 ndeshje, 4 barazime, 4 humbje e vetëm një fitore, ajo në debutim kundër Bylis. Bardheblutë kanë pësuar 12 gola dhe kanë shënuar vetëm 8 dhe tani janë në zonën e rënies nga kategoria. Magani ka parë Tiranën të zbresë në vendin e 9, -2 nga Laçi në zonën playout e tani të zëvendësohet nga njeriu që zëvendësoi.
“Bledi Shkëmbi rikthehet në drejtimin e KF Tirana – shkruan njoftimi I klubit në faqen zyrtare -. Klubi beson në vazhdimësinë e projektit të nisur në fillim të sezonit, duke i’a besuar drejtimin e skuadrës Bledi Shkëmbit, i cili është njohësi më i mirë i kontingjentit aktual në ekip.
KF Tirana i uron suksese trajnerit dhe rikthim sa më të shpejtë te rezultatet e shumëpritura nga komuniteti bardheblu”. Klubi me sa duket “beson” te projekti që nisi Shkëmbi, pasi provoi të bënte ndryshe për 9 ndeshje me Maganin, që pas pokerit të pësuar nga Egnatia, që pasoi eliminimin nga Kupa e pa të pamundur të vazhdonte.
Shkëmbi, që e nis kampionatin me një seri barazimesh dhe pësoi vetëm tre humbje në 12 javë që qendroi në pankinë përpara se të zëvendësohej. Natyrisht renditja nuk ishte kaq dramatike kur iku sa ajo që la, por Tirana nuk mund të paguajë një trajner të tretë dhe atëherë ktheu në detyrë teknikun korçar.