Mauro Icardi ka dalë hapur ditët e fundit, duke bërë publike përmes rrjeteve sociale lidhjen e tij të re me këngëtaren argjentinase China Suarez. Ish-sulmuesi dhe kapiteni i Interit mbetet ende temë e nxehtë këto ditë, pasi ka dalë në pah çështja e tradhtisë së Wanda Nara-s me Keita Balde. Videoja ku të dy shfaqen duke kërcyer në një dhomë hoteli u përhap në mbarë botën, duke konfirmuar versionin e vetë Mauritos, i cili deklaroi se kishte prova të asaj tradhtie. Për këtë çështje kanë folur edhe Andrea Ranocchia dhe Sandro Sabatini.
Ish-mbrojtësi i Inter dhe shok skuadre me Icardin në atë kohë, së bashku me gazetarin e njohur sportiv, ishin të ftuar në podcastin ‘Calcio Selvaggio’ në kanalin Youtube ‘mondopengwin’. Duke diskutuar për ecurinë e Interit në Champions dhe kampionat, u fol edhe për shenjtërinë e dhomës së zhveshjes. Ajo atmosferë atë vit u cënua pjesërisht nga kaosi i krijuar nga deklaratat e Wanda Nara në programin sportiv Tiki Taka në Mediaset, ku ish-bashkëshortja e Mauritos ishte opinioniste.
Sabatini zbulon se ishte në dijeni ç’po ndodhte
Në atë emision, së bashku me moderuesin Pierluigi Pardo dhe disa të ftuar të përhershëm, ishte edhe Sandro Sabatini. Gazetari rrëfen disa prapaskena të asaj periudhe: “Në Tiki Taka të gjithë ishin entuziastë për prezencën e saj, sepse Wanda krijonte zhurmë dhe i jepte gjallëri programit – shpjegoi Sabatini dhe shtoi: – Gjatë pauzave publicitare na tregonte mesazhet që i vinin dhe thoshte: ‘Shiko, më ka shkruar Mauro dhe më ka thënë që duhet të them se ky nuk ia pason topin dhe tani duhet të them edhe këtë gjënë tjetër…’. Ose tregonte mesazhe nga drejtorët sportivë të klubeve të tjera”.
@parlaredicalcio Gossip esclusivo #ilpengwin #calcioselvaggio #ranocchia #sabatini #wandanara #keitabalde ♬ suono originale – Parlaredicalcio
Ajo periudhë ishte një kaos i vërtetë për Inter: “Atë vit, problemi me Icardin dhe Spallettin filloi pikërisht në Tiki Taka, ku Pardo, sapo dëgjonte diçka, ndërronte temë – rrëfen Sabatini. – Kurse unë ia shtoja dozën Wandës.” Gazetari tregon një tjetër prapaskenë: “Një herë, më kujtohet që Mentana ishte i lidhur direkt vuri duart në kokë kur dëgjoi të fliste Wanda – tregoi ai –. Unë isha i kënaqur sepse Tiki Taka rritej në shikueshmëri, por, në të njëjtën kohë, e dija që po ndodhte një kaos i paparë në dhomën e zhveshjes. Një grua që thotë ato gjëra në TV krijon kaos”.
Ranocchia e fjalët për marrëdhënien me Wanda Nara
Ranocchia, ish-shok skuadre me Mauro Icardi, theksoi se nuk kishte dijeni për çështjen Icardi-Wanda-Keita, por shpjegon: “Më kujtohet që kur ishte Tiki Taka, zëdhënësi i shtypit djersitej nga frika sepse mund të ndodhte gjithçka – dhe shton: – Dhomat e zhveshjes janë të shenjta, dhe përshtypja ime që në fillim, duke parë edhe atë që po ndodh tani, është se ajo e kontrollonte plotësisht në nivel psikologjik. Nuk e ndihmonte, dhe ai, si kapiten, sulmues dhe golashënues i Interit, me gjithë kaosin mediatik që shkaktohej nga bashkëshortja e tij, nuk arrinte ta menaxhonte gjithçka”.