Këshilli i Ministrave ka dërguar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”. Ndryshimet në ligj kanë qëllim përputhjen me direktivën europiane “Për fillimin dhe zhvillimin e veprimtarive të sigurimit dhe të risigurimit” apo siç njihet direktiva e Solvency 2 (Aftësisë Paguese). Ndër risitë kryesore që pritet të sjellë ligji i ri është aplikimi i parimeve të reja në vlerësimin e brendshëm të nevojave për kapital të shoqërive të sigurimit.
Sipas projektligjit, shoqëritë e sigurimit duhet të kryejnë vetëvlerësimin e rrezikut dhe aftësisë paguese, si pjesë e sistemit të administrimit të rrezikut. Bazuar në këtë vlerësim, nevojat për kapital do të jenë të ndryshueshme, duke u rritur në proporcion me rrezikun që çdo kompani sigurimi merr përsipër.
Ky vlerësim duhet të përfshijë të paktën nivelin e kapitalit të kërkuar në raport me profilin e rrezikut, kufijtë e miratuar të tolerancës ndaj rrezikut, si dhe strategjinë e biznesit dhe pajtueshmërinë në vijimësi me kërkesat për kapital dhe kërkesat për mjaftueshmërinë e provigjoneve teknike. Vetëvlerësimi i rrezikut dhe aftësisë paguese duhet të jetë pjesë integrale e strategjisë së biznesit dhe duhet të merret në konsideratë, në mënyrë të vazhdueshme, në vendimet strategjike që merr shoqëria.
Shoqëritë e sigurimit duhet të kryejnë rregullisht dhe menjëherë pas çdo ndryshimi të konsiderueshëm të profilit të rrezikut, vlerësimin e profilit tërësor të rrezikut dhe aftësisë paguese, në nivel individual ose në nivel të grupit të sigurimeve. Ato duhet të dokumentojnë në çdo fazë dhe veprim të procesit të vlerësimit të rrezikut dhe të kryerjes së provave të rezistencës, si dhe informojnë Autoritetin, brenda datës 31 maj të çdo viti, për rezultatet e çdo vetëvlerësimi të rrezikut dhe aftësisë paguese.
Të gjitha politikat dhe procedurat e ndërmarra nga shoqëria, në kuadër të administrimit të rrezikut, duhet të jenë të dokumentuara dhe të përditësuara në çdo kohë. AMF-ja do të miratojë një rregullore të posaçme për përcaktimin e afateve dhe përmbajtjes së raportit vjetor të vetëvlerësimit të rrezikut të shoqërisë së sigurimit.
Raporti i vetëvlerësimit të rrezikut dhe aftësisë paguese duhet të përfshijë të paktën rezultatet cilësore dhe sasiore të vetëvlerësimit të rrezikut dhe aftësisë paguese dhe konkluzionet e nxjerra prej tyre nga shoqëria e sigurimit; metodat dhe supozimet kryesore të përdorura në vetëvlerësimin e rrezikut dhe aftësisë paguese; informacion mbi nevojat e përgjithshme të shoqërisë për aftësi paguese dhe krahasimin midis këtyre nevojave me kërkesat rregullatore për kufirin minimal të aftësisë paguese; informacion mbi devijime të rëndësishme të rreziqeve që nuk pasqyrohen në llogaritjen e kërkesës për kapital të aftësisë paguese.
Sipas relacionit të qeverisë shqiptare, objektivat të tjera të projektligjit janë forcimi i kërkesave për përshtatshmëri dhe aftësi të organeve drejtuese dhe funksioneve kryesore; përmirësimi i mbrojtjes së konsumatorit, nëpërmjet rishikimit të kërkesave për informim dhe transparencë, duke garantuar një nivel uniform dhe të zgjeruar të mbrojtjes të të siguruarve si dhe mundësimi i lidhjes së kontratës së sigurimit në internet dhe me mjete elektronike; rishikimi i kornizës rregullatore në lidhje me mbikëqyrjen e grupeve të sigurimit dhe plotësimi dhe rishikimi i dispozitave për administrimin e përkohshëm dhe prishjen e shoqërisë së sigurimit./ Monitor