SPAK nxjerr akuzat për Veliajn: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Prokuroria e Posaçme ka nxjerr detaje në lidhje me hetimin që po bëhet ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. SPAK thekson se deri më tani nga hetimi ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale. Sipas SPAK, informacionet për veprat penale morën shkasë nga një kallëzim i bërë nga një qytetar i identifikuar Nesti Angoni. Po ashtu SPAK thekson se deri më tani janë 4 vepra që po hetohen, të cilat korrupsion pasiv, korrupsion aktiv, pastrim i produkteve (parash) dhe fshehje e pasurisë.

Përgjigja e SPAK:

Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.

Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur mëngjesin e ditës së djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Veliaj ishte i shoqëruar nga drejtori juridik i bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi ka qëndruar në ambientet e SPAK për më shumë se 5 orë.

Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.

Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje e 6 dhjetorit duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top