Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi shkoi sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit e shoqëruar nga avokati i saj Redi Llanaj. Por, ndryshe nga herët e tjera Kryemadhi tërhoqi vëmendjen pasi u shfaq teksa futej në ambientet e gjykatës me një bastun në dorë.
Kryemadhi tha për gazetarët se “Kështu është jeta”, ndërsa e pyetur nëse është lënduar tha “jo”.
Në Apelin e GJKKO do shqyrtohet ankimi i Kryemadhit për sekuestron e 2 vilave te Kodra e Diellit, njëra në pronësi të saj dhe tjetra e së ëmës.
GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, ndërsa po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.