Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbajtur ditën e sotme fjalën e saj në një event me partinë e saj, “Vëllezërit e Italisë” në Atreju. Meloni gjatë fjalës së saj foli edhe për kampet e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë hap pas në lidhje me këtë çështje.
Ajo u shpreh se qendrat e emigrantëve do të funksionojnë edhe sikur ti duhet asaj të merret me të çdo natë. Meloni shtoi se ajo do të luftojë mafian dhë kërkon ndihmën e shtetit italian. Sipas saj ajo nuk është armike por një njeri i ndërshëm.
“Qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më kërkon të merrem me të, çdo natë, që tani deri në fund të mandatit tonë qeverisës. Sepse dua të luftoj mafian dhe i kërkoj të gjithë shtetit italian, nga njerëzit e denjë, të më ndihmojë ta luftoj atë. Unë nuk jam armike, jam njeri i ndershëm”, nënvizoi kryeministja italiane.
Ajo shprehet se ka vullnetin ta luftojë mafian, më shumë se kushdo tjetër që përpiqet ta afrojë atë me kriminelët në këtë marrëveshje, që sipas saj është një shkollë.
“Pika qendrore është parandalimi i rreziqeve, protokolli ynë me Shqipërinë është gjëja që i frikëson më shumë trafikantët. Nëse ne e ndalojmë, kjo do të jetë favori më i madh që mund të bëjmë për këta kriminelë,” shtoi Meloni.
Ajo theksoi se beson se qeveria e saj karakterizohet nga stabiliteti politik që garanton besueshmërinë ndërkombëtare, pa të cilin nuk mund të prodhohet prosperitet dhe gjithashtu i uroi “punë të mbarë” presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump.
“Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë, kanë qenë dhe do të jenë aleatë të vendosur, pavarësisht se kush është në pushtet. Ka kohezion, unë jam një grua e së djathtës, nuk e kam të vështirë të diskutoj me të gjithë nëse ka nevojë Italia, por sigurisht jam e lumtur që mund të jem në dialog me konservatorët amerikanë. Italianët më zgjodhën për të mbrojtur interesin tonë kombëtar dhe këtë do të bëj, kushdo qoftë bashkëbiseduesi im”, përfundoi kryeministrja italiane.
Më 6 nëntor 2023, qeveria italiane nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për ndërtimin e dy qendrave në territorin shqiptar për ndalimin e personave të shpëtuar ose të kapur në det nga anijet shtetërore italiane. Marrëveshja synonte trajtimin ekstraterritorial të kërkesave për azil dhe ndalimin ekstraterritorial të personave që do të riatdhesohen me forcë, me qëllimin e deklaruar për të penguar kalimet detare.
Italia dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore. Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë më 18 tetor urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak vendet e tyre të origjinës, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk ishin vende të sigurta.
Edhe më 11 nëntor Gjykatësit në Romë kanë refuzuar që të miratojnë ndalimin e një grupi emigrantësh në qendrat në Shqipëri, që operohen nga Italia. Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra të pritjes. Për sa i përket përfundimit të dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë italiane, sipas shumë komentuesve, ai mund të shtyhet, në mënyrë që Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian të shprehë fillimisht mendimin e saj për të gjithë këtë çështje.