“S’është grupi që doja”: Duka ‘panik’ nga shorti me Anglinë e Serbinë, Sylvinho beson

“Shorti duhet pranuar siç është. Nuk është më e mira e mundshme që mund të na sillnin goglat. Anglia është një nga ekipet më të mira në botë, është e vështirë përballja kundër tyre. Apo ndeshja me Serbinë, është vërtetë sensitive”. Armand Duka nuk e fsheh se në Zvicër do të kishte dashur tjetër short. Shqipëria do të përballet në Grupin K me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorran, në kërkim të një kualifikimi historik në finalet e një Botërori.

Mision i vështirë dhe Duka e kupton fare qartë: “Uroj që të shkojë mirë, të jetë mesazh bashkëpunimi, atë që duhet të bëjë futbolli. Duhet të flasim për futboll, është një grup i vështirë. Mund të ishte ndryshe, por kualifikueset e Kupës së Botës janë gjithmonë të vështira. Shumë më të vështira se kualifikueset e Europianit dhe Ligës së Kombeve”.

Nuk ka vend për eufori, jo kur përballesh me Kane, Foden e Bellingham, apo me Vlahovic e të tjerët: “Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të përgatitemi dhe të bëjmë më të mirën e mundshme për të luftuar – tha Duka -. Kualifikueset janë për të luftuar deri në fund. Mund të na sillnin ndonjë gjë më të mirë goglat, por kohët e fundit nuk kanë qenë shumë dashamirëse me ne. Na mbetet vetëm të punojmë shumë”.

SYLVINHO: “GRUP I FORTË, NE ËNDËRROJMË”

“Është një grup i fortë dhe i vështirë. Sot futbolli nuk është i lehtë. Të gjitha skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Me teknologjinë, mund të shikosh gjithçka. Është një grup për t’u luajtur, për t’u luftuar dhe për të shkuar deri në fund, sepse është i bukur. Të ëndërrosh se mund të shkosh në Botëror të jep shumë energji”. Tekniku i Kombëtares, Sylvinho, ka dhënë mendimin e tij, pas shortit të hedhur në Zvicër për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Braziliani u shpreh se niveli i vështirësisë është i lartë, por theksoi se synimi kryesor është që skuadra të luftojë deri në fund për të bërë më të mirën.

Shqipëria u pozicionua në Grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. “Gjithçka është shumë e shpejtë, nuk ka shumë kohë. Sa më pak të gabosh, aq më shumë shanse ke për të ecur përpara. Nga sot fillojmë nga zero. Të gjitha skuadrat mendojnë të shkojnë përpara, kjo është një ëndërr për shumë ekipe. Ne ëndërrojmë, por duhet të gabojmë sa më pak nëse duam të ecim përpara”.

Sylvinho nuk e ndryshon mendësinë e tij, duke vazhduar me projeksionin e tij të muajit nëntor, kur sipas tij mund të kuptihet më shumë se cfarë do të ndodhë: “Mendimi i parë është ky, nëse gabon pak, ka mundësi të ecësh përpara, të arrish atje dhe pastaj, në tetor-nëntor, të kesh një mundësi për të shkuar në Botëror. Është një grup i vështirë, si shumë të tjerë, por duhet të luftojmë dhe të gabojmë sa më pak të jetë e mundur”.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top