Presidenti francez Emmanuel Macron do të shpallë sot emrin e kryeministrit të tij të ri, duke i dhënë fund ditëve të bllokimit politik pasi ish-zgjedhja e tij Michel Barnier u rrëzua javën e kaluar.
Më 4 dhjetor, Parlamenti votoi mosbesimin ndaj qeverisë së kryeministrit Michel Barnier dhe kjo është hera e parë që nga rënia e qeverisë së Georges Pompidou në 1962.
Barnier dha dorëheqjen pas vetëm tre muajsh në detyrë – mandati më i shkurtër i çdo kryeministri në historinë moderne franceze.
Që nga rrëzimi i Barnier, disa emra kanë qarkulluar si zëvendësues i tij.
François Bayrou, një aleat i qendrës dhe besnik i Emmanuel Macron, është ndër kryesuesit. Lideri i Lëvizjes Demokratike është gjerësisht popullor, por ende nuk ka mbështetje unanime nga anëtarët e partive të tjera.
Në të majtë, Olivier Faure, sekretari i parë i Partisë Socialiste, tha se emërimi i François Bayrou në Matignon nuk do të ishte “zgjedhja e duhur”.
Ish-presidenti Nicolas Sarkozy thuhet se nuk pajtohet me emërimin e Bayrou në detyrë, me raporte që qarkullojnë në mediat lokale se ai po lobonte në mënyrë aktive kundër emërimit të Bayrou.
Një emër tjetër është ish-kryeministri i majtë Bertrand Cazeneuve. Cazeneuve mbështetet nga disa anëtarë të Partisë Socialiste, përfshirë ish-presidentin François Hollande, por kritikohet nga ambientalistët.
Emri i Jean-Yves Le Drian-it, ish-socialist i kthyer në aleat të Macron-it, është cilësuar si një zgjedhje e mundshme për kryeministër.
Në fraksionin më konservator të koalicionit të Macron, ideja e Sébastien Lecornu si kryeministër po fiton tërheqje.
Po përmendet edhe Catherine Vautrin. Me prejardhje nga një sfond politik i krahut të djathtë, ish-ministri për partneritetet me territoret dhe decentralizimin iu bashkua kampit të Macron në vitin 2024.