“Nuk jam aspak i shqetësuar. Nëse është e nevojshme, jam gati të shkoj në gjykatë.” Kështu deklaroi Kylian Mbappé gjatë një interviste për Canal+ në Francë, ku foli për herë të parë lidhur me çështjen e supozuar të përdhunimit në Suedi, në të cilën thuhet se është përfshirë. Ngjarja daton më 15 tetor, kur prokuroria suedeze njoftoi hapjen e një hetimi për përdhunim, pa përmendur emra. Megjithatë, mediat lokale raportuan se personi i hetuar ishte sulmuesi i Real Madrid-it, i cili në atë periudhë ndodhej për pushime në Stokholm.
Versioni i Mbappé për ngjarjen
“Janë gjëra që ndodhin papritur, pa i pritur,” tha ish-lojtari i PSG-së dhe Monakos. “Nuk kam marrë asnjë njoftim, asnjë thirrje zyrtare. Kam lexuar të njëjtën gjë që kanë lexuar të gjithë të tjerët. Qeveria suedeze nuk ka thënë asgjë. Nuk jam i përfshirë. Madje, nuk ishte as një mbrëmje e mirëfilltë. Kisha pesë ditë pushim dhe vendosa të udhëtoj. Fillimisht do të shkoja diku tjetër, por trajneri më këshilloi të zgjidhja një vend më të izoluar. Megjithatë, i thashë se jam Kylian, njerëzit do të më shohin kudo që të shkoj. Nuk e di kush mund të më ketë akuzuar.”
Raporti me trajnerin Deschamps dhe mungesat në kombëtare
Mbappé komentoi gjithashtu marrëdhënien e tij me Didier Deschamps, pas mosgrumbullimit të tij në kombëtaren franceze: “Po, më mungon Franca, sepse ka kaluar shumë kohë që nga hera e fundit që isha atje,” tha ai. “Në shtator, i kërkova trajnerit të mos më thërriste. Sapo kisha mbërritur në Madrid dhe pushimet e mia kishin qenë shumë të shkurtra. Trajneri insistoi që të shkoja, por gjërat nuk shkuan mirë. Pastaj, në tetor, u dëmtova dhe ai më tha se ishte më mirë të mos më grumbullonte. Në nëntor, ishte një vendim i trajnerit, dhe unë e respektoj. Ai është shefi. Nuk e di arsyen e mosgrumbullimit”.
Mbappé u shfaq i qetë dhe i vendosur, duke mohuar çdo përfshirje në akuzat dhe duke u përqendruar te karriera e tij si lojtar i Real Madrid.