BSH: SEPA na kursen 20 milionë euro vetëm vitin e parë

Banka e Shqipërisë kërkoi sot nga sektori financiar të angazhohet për të mundësuar kryerjen e veprimeve brenda sistemit SEPA brenda vitit që vjen.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Guvernatori, Gent Sejko, u bëri thirrje institucioneve financiare të nxisin përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse, në mënyrë që të realizojnë aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit të ardhshëm. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë do të drejtojë procesin dhe do të mbështesë institucionet financiare të plotësojnë kriteret teknike të SEPA-s.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë inkurajon bankat që të jenë sa më të orientuara drejt projekteve inovative, që synojnë ofrimin dhe rritjen e volumit të shërbimeve bankare në distancë, e veçanërisht atyre me impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e përfshirjes së parë financiare, ose e thënë më thjesht, hapjes së një llogarie bankare në distancë.

Sejko theksoi se krijimi i ambientit të përshtatshëm ka motivuar zgjerimin e institucioneve të shërbimeve të pagesave dhe ka rritur larminë e produkteve që i ofrohen publikut. Ky i fundit ka përfituar nga ulja e kostove, përshtatja e produkteve sipas nevojave dhe rritja e aksesit në shërbimet e pagesave, çka është reflektuar në një rritje me ritme dyshifrore të përdorimit të pagesave elektronike, duke arritur në 21 pagesa elektronike për frymë, nga vetëm 2 pagesa në vitin 2015.

Kostot e kryerjes së transfertave bankare për pagesat elektronike në lekë janë ulur me 2 herë. Njëkohësisht, përdorimi i sistemit AIPS Euro për transfertat në euro brenda vendit vlerësohet t’u ketë kursyer klientëve mbi 90 milionë euro që prej nisjes së operimit të tij në vitin 2022, me kosto transfertash rreth 5-fish më të ulëta dhe kohë ekzekutimi brenda ditës.

“Ndërsa kemi realizuar hapin e parë të anëtarësimit në juridiksionin e zonës SEPA, përfitimet konkrete ekonomike prej kësaj vendimmarrjeje do të jenë të shumëfishta. Në radhë të parë, ky anëtarësim do t’u kursejë aktorëve ekonomikë rreth 20 milionë euro vetëm gjatë vitit të parë, si rezultat i uljes së komisioneve.

Së dyti, krijimi i një ambienti mbështetës për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si tregtia do të lehtësojë transaksionet me partnerët tanë kryesorë evropianë dhe do t’u japë akses bizneseve shqiptare në një treg prej 500 milionë banorësh. Së treti, ndikim të rëndësishëm pritet të ketë edhe në sektorin e turizmit, si dhe në dërgesat e emigrantëve dhe investimet direkte, të cilat kanë një kontribut domethënës për ekonominë shqiptare.

Megjithatë, këto përfitime do të mund t’i prekim pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA, çka kërkon që ato të jenë teknikisht të afta të lidhen me këto skema. Për këtë nevojiten investime, të cilat në gjykimin tonë dhe tuajin, justifikohen plotësisht nga përfitimet që ekonomia shqiptare do të ketë nga pjesëmarrja direkte në SEPA. Edhe në këtë rast, Banka e Shqipërisë do të drejtojë procesin dhe do të mbështesë institucionet financiare të plotësojnë kriteret teknike të SEPA-s,” tha Guvernatori.

Së dyti, ai u ndal tek një tjetër zhvillim i rëndësishëm, i njohur tashmë si “open banking”.

“Në muajin nëntor 2024, pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka e Shqipërisë çeli veprimtarinë e bankingut të hapur, duke i dhënë licencën e parë për këtë aktivitet një prej institucioneve të parasë elektronike që operon në vend. Gjithashtu, në momentin që flasim, në proces shqyrtimi janë edhe aplikimet e një sërë subjektesh të tjera, për ushtrimin e veprimtarisë së bankingut të hapur.

Dëshiroj të sjell në vëmendje se në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e një vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare.

Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), i cili do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët. Përveç përfitimeve personale të konsumatorit, në një plan më të gjerë, kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare. Banka e Shqipërisë do të mbetet gjithmonë promotore e iniciativave pararojë dhe nxitjes së inovacionit që kërkon koha për rritjen e mirëqenies së shoqërisë shqiptare,” tha Sejko.

Sipas tij, investimet në nisma inovative sjellin përfitime të dyanshme, si për bankat, ashtu edhe klientët dhe publikun në përgjithësi, në drejtim të uljes së kostove, kursimit të kohës dhe rritjes së kënaqësisë së klientëve, edukimit dhe zhvillimit të konsumatorëve, por edhe optimizimin e proceseve të punës./MONITOR

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top