Pas daljes nga SPAK, Belind Këlliçi ka pranuar se ishte thirrur nga prokurori Klodian Braho për denoncimet e tij në lidhje me aferën “5D”, për të cilën janë arrestuar disa nga ish-bashkëpuntorët më të afërt të Erjon Veliajt. Këlliçi tha se do të ruante sekretin hetimor, por se kishte kritikat e tij për disa pika të hetimit.
“Kam 13 muaj që e bëj publike në mënyrë të përditshme aferat korruptive dhe vjedhjen galopante në Bashkinë e Tiranës. Sot u paraqita në SPAK, në vijim të kërkesës së prokurorit të çështjes së dosjes 5D, z. Klodian Braho, ku pata një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me oficerin e caktuar prej tij të Policisë Gjyqësore, në lidhje me dosjen famoze 5D.
Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor dhe që më është kërkuar nga organi i akuzës që të mos i bëj publike, sigurisht që nuk kam ndërmend t’i bëj publike. Por padyshim dua të ndalem pak te kërkesa ime dhe te deklaratat e mia të dhëna edhe para organit të akuzës.
Vijoj t’i qëndroj fort kërkesës për zbatimin e të gjithë rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, të dhëna para pak muajsh, në të cilat kërkohet hetimi i shtetases Jona Bejko, e cila ka deklaruar në komunikimet e saj private, tashmë të bëra publike, se hoteli me vlerë 50 milionë euro në Durrës ka si aksioner “Lali Erin”. Të na e sqarojë organi i akuzës kush është “Lali Eri” për të gjithë qytetarët shqiptarë që ende nuk e dinë.
Kam kërkuar në mënyrë të veçantë të hetohet roli i prestanomes, administratori Nestor Muhametllari, i cili është i vetmi prestanomë de facto, që është i lirë dhe ndaj të cilit nuk ka ende asnjë masë. Duhet të hetohet cili ka qenë roli i këtij individi, pasi mendoj se dëshmia e tij mund të shërbejë si një moment kyç për zbardhjen e kësaj afere.
Vijoj ta kritikoj SPAK-un në raport me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Nuk kam si të mos e kritikoj, kur sot që flasim, ne që jemi këtu paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Kanë kaluar 4 vite nga hapja e kësaj çështjeje, dhe prokuroria ende ka frikë t’i përmendë emrin Erion Veliajt.’- u shpreh Këlliçi.