Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH është vënë përballë akuzave të dy liderëve të opozitës Sali Berishës dhe Ilir Metës, me të cilët SPAK është në përballje në gjykatë. I pyetur për akuzën e Berishës se ka 3 aprtamente Dumani, deklaroi se nuk ka asnjë asgjë për të fshehur, duke përfshirë dhe këto apartamente që sipas tij, i ka dhe i ka të deklaruara. Kreu i SPAK tha se i është nënshtruar një hetimi të thelluar nga vetingu në lidhje me pasurinë dhe sipas tij, kushdo që është i interesuar mund t’i marrë ato dokumente.
“Nuk kam pse i jap përgjigje Berishës, por i jap përgjigje publikut se paguhem nga taksat e shqiptarëve. Pasuria ime është kontrolluar në detaje përmes një procesi administrativ shumë të thellë. Kush është i interesuar mund të shkojë dhe t’i marrë dokumentet atje nga vetingu. Unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe çdo gjë e kam të deklaruar dhe çdo gjë është produkt i punës time dhe të familjes time si dhe të një kredie që unë e kam marrë para vitit 2006.
Pasuritë i kam, edhe këto tre apartamente që përmend Berisha. Dy janë para vitit 2013, një është pas. Mua më njohin shumë mirë. Kurrë, kurrë në jetën time nuk kam pranuar jo përfitim të parregullt, jo rryshfet por qoftë dhe një dhuratë që tejkalon shumën prej 100 dollarë që është detyrim ligjor. E kam bërë pakt me veten e familjen time. Unë e dua punën time. E bëj me mish e shpirt”, – tha Altin Dumani.
Çfarë ka deklaruar Berisha.
“Çfarë mund t’i thuhet Dumanit të partisë, këtij të ndershmi, siç gabojnë verbërisht disa, që në 2016 do të deklaronte 3 apartamente, pa asnjë të ardhur tjetër përveç rrogës së shtetit dhe disa parave me përkthime nga e shoqja. Nga 3 apartamentet, Dumani i ndershmi i Edi Ramës, deklaron se njërin ja ka falur kisha.
Do të ju bëj një pyetje ju, do të ju bëj një pyetje: A ka kishë në botë, xhami në botë, teqe në botë që mund t’i falë atij që ka strehë dhe apartament, një apartament tjetër? Por Zoti vesh çdo kishë, çdo xhami, çdo teqe nëse vepron në këtë mënyrë. Daman-zaman je një mashtrues kriminel që korrupton kishë dhe çdo gjë dhe të ta korruptuar Edi Rama.
Si bëhesh ti me tre apartamente, me rrogë. Pyeteni veten shqiptarë, cili rrogëtar i shtetit mund të behët me 3 apartamente pa pasuri të tjera. Asnjë i vetëm, përveç Dumanit. Dumani është i vetmi zyrtar që i pjell rroga apartamente, sepse fsheh të ardhurat dhe ryshfetet që merr” – e akuzoi Berisha.