Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani. Mësohet se grupi hetimor është rikthyer ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka sekuestruar pamje nga kamerat e tjera të sigurisë.
Më tej bëhet me dije se sekuestrimi i kamerave të tjera ka ardhur për të identifikuar personat që ndihmuan autorin 14-vjeçar, Mario Përlleshaj për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se ai është ndihmuar nga shokët dhe kushërinjtë e tij por përmes këçyrjes së kamerave pritet të identifikohen bashkëpunëtorët e 14-vjeçarit.
Ngjarja tragjike që tronditi Shqipërinë dhe mbarë opinionin publik ndodhi mesditën e 18 nëntorit, ku një 14-vjeçar u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre. Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë, një 14-vjeçar, i arrestuar tashmë, ka goditur disa herë me thikë Martin Canin, plagë të cilat i morën jetën.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar foto dhe video edhe të autorit të dyshuar para dhe pas ngjarjes. Ai vetëm një ditë para se të kryente krimin, kishte publikuar një video ku tregonte thikën. Ndërsa ditën e ngjarjes, vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur, autori kishte publikuar po ashtu një tjetër foto në ‘Snapchat’ ku tregonte sipas tij ‘triumf’, me grushtin lart dhe dorën tjetër të gjakosur.